Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kanë thënë se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre, si çështje kryesore e kanë konsideruar një fushatë të pandalshme nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve.
“Gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre. Kryesorja mbetet një fushatë e pandalshme nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve. Gazetarët dhe mediat mbesin cak i sulmeve nëpërmjet fjalorit denigrues që ka për qëllim uljen e besimit të publikut në raportimin e tyre”, thuhet në komunikatën për media.
AGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë, Vetëvendosjes dhe gjithë akterëve politikë që të respektojnë dhe të mos e pengojnë punën e gazetarëve, “si faktor kyç në zhvillimin demokratik të vendit”.
Ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të bordeve të RTK-së dhe Komisionit të Pavarur të Mediave, duke krijuar, siç theksojnë ata, “një tendencë të hapur për kontrollimin politik dhe partiak të të dyja institucioneve”.
“AGK-ja shpreh shqetësim që shumica parlamentare, në një procedurë të shpejtë dhe të komprometuar, ka zgjedhur anëtarët e bordeve të RTK-së dhe KPM-së, që ka rezultuar, siç kemi paralajmëruar, në tendencë të hapur për kontrollimin politik dhe partiak të të dyja institucioneve”.
Ata kanë theksuar përmirësimin në renditjen e Kosovës në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij këtë vit, i cili, thonë se ka ndodhur për shkak të “vendimit meritor” të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur antikushtetues Ligjin për KPM-në, të miratuar në Kuvend nga Vetëvendosje.
“Nëpërmjet këtij vendimi dhe të tjerëve, sistemi gjyqësor mbetet garantuesi më i rëndësishëm i lirisë së medias në Kosovë. Kjo reflektohet edhe në miratimin e Strategjisë së KGJK-së që do t’u japë prioritet rasteve të gazetarëve”.
AGK-ja ka bërë thirrje për politika më të ashpra ndëshkimore në rastet kur gazetarët janë viktima të sulmeve.









