Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë bombardimet në Gaza, pasi grupi i Hamasit ka pranuar pjesshëm planin e Donald Trump për paqe në Gaza dhe Lindje të Mesme.
Në parim, grupi palestinez Hamas është shprehur i gatshëm që të lëshojë të gjitha pengjet, sipas procesit të propozuar nga Donald Tump.
Por, grupi është shprehur i rezervuar në çarmatosjen e tij “pa përfunduar okupimi izraelit”.
Hamas ka rënë dakord që të dorëzojë administrimin e Gazës në duart e një trupi palestinez të pavarur teknokratësh, që siç parashihet do të mbështetet nga bota islame.
Deklaratës së Hamasit i ka reaguar menjëherë i pari i SHBA-ve, Trump.
Ai i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalë menjëherë bombardimet mbi Rripin e Gazës, pasi Hamasi ka pranuar lirimin e të gjithë pengjeve dhe ra dakord me disa prej kushteve të planit të SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës.
“Izraeli duhet të ndalë menjëherë bombardimet në Gaza, që të sigurojmë lirimin e pengjeve. Kjo nuk është vetëm për Gazën, kjo është për paqen e shumëpritur në Lindjen e Mesme!”, ka shkruar Trump.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka njoftuar se Izraeli është duke u përgatitur për “zbatimin e menjëhershëm” të fazës së parë të planit të Trumpit, e cila lidhet me lirimin e të burgosurve.
Liderë nga e gjithë bota kanë reaguar pozitivisht ndaj këtyre zhvillimeve.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka shprehur optimizmin e tij për paqe në Gaza.
“Lirimi i pengjeve dhe paqja për Gazën janë të arritshme… Pas pothuajse dy vitesh, ky është shansi më i mirë për paqe”, ka shkruar Merz.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka vlerësuar se armëpushimi në Gaza tani është i arritshëm.
“Lirimi i të gjithë pengjeve dhe një armëpushim në Gaza janë të arritshme! Angazhimi i Hamasit duhet të pasojë pa vonesë”, është shprehur ai.
Reagim ka bërë edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Prioriteti për të gjithë tani duhet të jetë arritja e një armëpushimi që çon në lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Italia mbetet e gatshme të bëjë pjesën e saj”, është shprehur ajo.









