Presidenti amerikan, Donald Trump, ka treguar planin e tij për ndalimin e luftës në Gaza gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, këtë të hënë në Shtëpinë e Bardhë.
Trump deklaroi se Washingtoni është “përtej shumë afër” për të arritur një marrëveshje pasi Jerusalemi pranoi ujdinë, ndërsa bota arabe dhe vendet myslimane u zotuan ta çarmatosnin Hamasin.
Ndërmjetësit egjiptian dhe ata të Katarit prezantuan planin amerikan tek Hamasi të hënën mbrëma, siç bën të ditur gazeta The Times of Israel.
Trump ka dhënë disa nga detajet kryesore të planit që ai e quan jo vetëm plan për ndalimin e luftës por për ndërtimin e një paqeje të përhershme në Lindjen e Mesme.
Vendet arabe dhe ato myslimane zotohen që do ta demilitarizojnë Gazën.
Ushtria e Izraelit do të largohet nga Rripi i Gazës në tri faza, të cilat do të varen nga lirimi i pengjeve të luftës.
Nëse Hamasi pajtohet me planin, të gjitha 48 pengjet e luftës do të lirohen brenda 72 orësh, ka thënë Trump. Në këmbim, Izraelli do të lëshojë 250 të burgosur të dënuar me burgim të përjetshëm; 1700 gazanë të ndaluar pas 7 tetorit dhe 15 trupa të pajetë për çdo peng izraelit të lëshuar. Njëzet nga 48 pengjet e luftës besohet të jenë gjallë.
Trump nënvizoi mbështetjen që marrë për planin nga liderët e Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari, Jordania, Egjipti, Turqia, Indonezia e Pakistani. “Po varemi në vendet që përmenda dhe të tjera për të negociuar me Hamasin”, ka thënë Trump.
Këto vende do të bëhen pjesë e Forcës Ndërkombëtare për Stabilizim (FNS) që Trump e parasheh tek vendoset në Gaza menjëherë pas vendosjes së marrëveshjes. Ajo forcë do tu japë ndihmë policëve të verifikuar të Palestinës në Gaza, thotë plani.
FNS-ja do të punojë po ashtu edhe me një qeveri të tranzicionit me teknokratë palestinezë, që do të mbikëqyret nga një trup ndërkombëtar që plani e quan si Bordi i Paqes.
“Do të drejtohet nga një xhentëlmen i njohur si Presidenti Donald J. Trump i SHBA-së. Kjo është çfarë dua, pak më shumë punë për të bërë, por është shumë e rëndësishme që jam i gatshëm ta bëj”, ka thënë Trump, duke shtuar se bordi po ashtu do të përfshijë ish kryeministrin britanik, Tony Blair, dhe figura të tjera të rëndësishme që do të shpalosen më vonë.
