Tifo-grupi i Përfaqësueses së Kosovës, Dardanët, i kanë dhënë përkrahje protestës së thirrur nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e UÇK-së (OVL-UÇK), që do të mbahet në Shqipëri të premten në ora 17:00, përkatësisht në Tiranë, te sheshi “Skënderbeu”.
Ata kanë shpërndarë në Facebook njoftimin për protestën me orën dhe lokacionin ku do të mbahet protesta, derisa kanë bërë të ditura edhe arsyet se pse janë në mbështetje të kësaj proteste.
“Dardanët mbështetin pa asnjë ekuivok dhe në formë unanime protestën gjithëkombëtarë të thirrur në Tiranë nga kategoritë e dalura nga lufta e UÇK-së, të premten më 17 tetor, në ora 17:00, për drejtësi dhe lirim sa më të shpejt të krerëve të guerilës sonë të shenjtë”, shkruan në Facebook.
“Duam drejtësi dhe jo barazi farse me kriminelët shovinistë serbë. Të bashkuar në emër të mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, për ta përçuar kështu edhe një mesazh të fuqishëm nga kryeqyteti shqiptar se UÇK-ja nuk kreu krime lufte e kështu as pjesëtarët apo udhëheqësit e saj. Adresa e krimeve është vetëm Beogradi famëkeq”.
Protestës në Tiranë i kanë dhënë mbështetje edhe tifozët kuq e zi e Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë dhe në Hagë, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









