Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i është dërguar një letër ku i kërkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta rishqyrtojnë mbështetjen e tyre për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara lufte krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Letra iu është dërguar Rubio-s nga Harry Bajraktari, veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se letrën e dërgoi pasi që SHBA-të nisën një fushatë të gjerë për të çmontuar kërcënimin që Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) paraqet ndaj sovranitetit të shtetit amerikan.
“Këtë letër e dërgova pas nismës së Marco Rubios për të sfiduar gjykatat ndërkombëtare që tejkalojnë mandatin e tyre, bëhen të papërgjegjshme, të politizuara dhe burokratike, duke minuar sovranitetin, besimin e publikut dhe të vërtetën historike”, shkroi Bajraktari në platformën X.
Përvoja e Kosovës me Dhomat e Specializuara, ai konsideron se “duhet të përfshihet në këtë nismë”. “Drejtësia nuk duhet të jetë kurrë selektive, politike apo një mekanizëm për rishkrimin e historisë”.
Rasti i krerëve të UÇK-së
Fillimisht, ishte paraparë që aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së të shpallej më 19 maj, por më pas ishte shtyrë për 20 korrik. U shtye sërish. Dhe, përfundimisht u vendos për 16 shtator.
Krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.
Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.
Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.
Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Zarë të Kroacisë. Para kësaj janë mbajtur edhe tri të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.
Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.









