Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pasi që gazetarja Arlinda Sejda, dha dorëheqje nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke thënë se asaj i kishin kërkuar që ta “inskenojë një video” se gjoja ai ka sulmuar eskortën e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Dorëheqja e gazetares Arlinda Sejda është një alarm i madh për lirinë e medias në Kosovë. Kur gazetarët detyrohen të largohen nga puna për shkak të presioneve politike, nuk kemi më një televizion publik në shërbim të qytetarëve, por një mekanizëm propagande në shërbim të pushtetit, i cili po rrëshqet në autoritarizëm”, shkroi Lushtaku në Facebook.
“Një nga çështjet që lidhet drejtpërdrejt me këtë rast është edhe kërkesa e papranueshme që, sipas informacioneve të bëra publike, të inskenohej një video e rreme për të krijuar përshtypjen tek publiku se kinse unë kam sulmuar eskortën e Albin Kurtit në Skenderaj, në fund të janarit 2025. Kur kërkohet të fabrikohen ngjarje që nuk kanë ndodhur, nuk flasim më për gazetari, por për manipulim të organizuar”, shtoi ai.
Këtë, Kryetari i Skenderajt e quajti “regjimi që shtyp gazetarë!”.
“Kush është ky regjim që i suspendon policët pse nuk hartuan raportin policor sipas direktivave të tyre? Çfarë regjimi është ky që u dikton gazetarëve çfarë të raportojnë? Çfarë pushteti është ky që ushtron presion mbi profesionistët, i ndëshkon kur nuk binden dhe tenton të prodhojë ‘faktenews’ sipas interesave të veta?”.
Liria e medias, thekson ai, është themeli i demokracisë. “Sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj së vërtetës dhe ndaj çdo qytetari të Kosovës”.
Lushtaku tha se solidarizohet me Arlinda Sejdën dhe me çdo gazetar që ka zgjedhur të mbrojë integritetin profesional përballë presioneve politike.
Asnjë pushtet, theksoi ai, “nuk ka të drejtë ta kthejë televizionin publik në zyrë propagande dhe as t’i detyrojë gazetarët të bëhen autorë të skenarëve të rremë”.
Të martën, gazetarja Arlinda Sejda njoftoi se pas 10 viteve është larguar nga televizioni publik, duke thënë se ka qenë e “detyruar” për ta marrë këtë vendim për të mbrojtur parimet bazë të profesionit.









