Gazetarja Arlinda Sejda ka njoftuar se pas 10 viteve është larguar nga televizioni publik, duke thënë se ka qenë e “detyruar” për ta marrë këtë vendim për të mbrojtur parimet bazë të profesionit.

“Pas një dekade pune, sot jam detyruar të largohem nga RTK, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme”, shkroi ajo në Facebook.

“Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit”, shtoi ajo.

Sejdiu thekson se vendimi vjen si pasojë e “pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e mia profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ndiej ndaj publikut”.

“Gjatë gjithë karrierës sime kam besuar se gazetaria duhet të mbështetet në verifikimin e fakteve, pavarësinë profesionale dhe interesin publik. Këto parime më kanë udhëhequr në çdo vendim timin dhe mbeten arsyeja pse zgjodha këtë profesion, por edhe pse po e marr këtë vendim sot”, shtoi ajo.

Dorëheqja, thekson ajo, “është një akt personal dhe profesional, i ndërmarrë për të ruajtur integritetin tim dhe për të qenë në përputhje me ndërgjegjen time profesionale”.

“Falënderoj kolegët me të cilët kam bashkëpunuar ndër vite, si dhe të gjithë qytetarët që më kanë besuar”.

Ajo pohon se besimi i saj te gazetaria e përgjegjshme, e pavarur dhe e bazuar në fakte “mbetet i palëkundur”.

“Besoj se gazetaria e lirë, profesionale dhe e pavarur është themeli i një shoqërie demokratike dhe një vlerë për të cilën ia vlen të qëndrohet me dinjitet”, përfundoi gazetarja Sejda.