“Ka me të mbulu turpi, Donikë”, i ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, Ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Kjo deklaratë e Çitakut, vjen pasi që Gërvalla theksoi se e respekton atë se çfarë ka thënë ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fatos Geci, ku kishte kërkuar burgim të përjetshëm për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale.
“Çfarë neverie. Çfarë gërrdije. Me qenë Ministre e Jashtme e Republikës së Kosovës, me përfaqësu këtë shtet para botës, e sot si Ministre e Drejtësisë me ua uru burgimin e përjetshëm Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit”, shkroi Çitaku në Facebook.
Kjo, theksoi ish-deputetja e PDK-së, “dhemb thellë”.
“Sepse në fakt, ju nuk po sulmoni vetëm katër njerëz. Ju po doni me dënu UÇK-në, luftën çlirimtare dhe krejt sakrificën mbi të cilën është ndërtu kjo Republikë”, shtoi ajo.
Çitaku i tha Gërvallës se krerët e UÇK-së “mund t’i mbani larg Kosovës fizikisht, por nuk mund ta burgosni historinë”. “Nuk mund ta zhbëni sakrificën, gjakun dhe idealin e mijëra grave e burrave që u ngritën për liri”.
“Marre ju qoftë”, përfundoi ajo.









