Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se e respekton atë se çfarë ka thënë ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen nga Gjykata Speciale.
Geci, nga Kuvendi i Kosovës, kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ish-krerët e UÇK-së. Dhe, pikërisht këtë deklaratë, Gërvalla ka thënë se e respekton.
“Në përgjithësi familja Geci ka një histori të dhimbshme të pasluftës edhe gjatë luftës. Kështu që unë pa dashur as të bëj avokatin as gjykatësin e Fatos Gecit, unë e respektoj atë çfarë thotë Fatosi, sepse e respektoj përvojën, e respektoj biografinë e familjes së tij dhe mendoj që edhe ajo pjesë e historisë sonë më të re, është pjesë e historisë së Republikës së Kosovës, pjesë e një sakrifice të jashtëzakonshme që kanë bërë disa familje të mëdha në Kosovë”, tha Gërvalla në një intervistë në Tëvë1.
“Kështu që Fatos Geci është një prej zërave të ndryshëm në këtë listë. Ne kemi shumë personalitete të ndryshme jo me të gjithë pajtohem, jo me të gjithë ndaj mendime të njëjta, mirëpo Fatos Geci është pjesë e listës sonë të përbashkët, sepse përfaqëson një pjesë të realitetit politik të vendit tonë”, shtoi ajo.
Ish-deputeti Geci, në fjalën e tij në Kuvend më 21 prill, i kishte thënë Partisë Demokratike të Kosovës që “lideri i juaj suprem”, duke iu referuar Hashim Thaçit, do ta ketë fatin e njëjtë si të Naim Murselit, i cili ishte dënuar po atë ditë me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.
“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju që shpresoni që një ditë lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, deklaroi Geci.
Gërvalla njihet për qëndrimet e saj kundër UÇK-së. Madje, ajo kishte deklaruar se ka dërguar dosje kundër UÇK-së në Gjykatën Speciale.









