Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që 24 marsi, që është data e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe, të shpallet datë kombëtare në Kosovë.

Këto komente, Abdixhiku i ka bërë përmes një postimi në Facebook, në 27 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, të cilën e quajti një nga kthesat më të thella në historinë moderne të Kosovës.

“Më 24 mars, përpjekja jonë doli nga kufijtë e vetvetes dhe u bë pjesë e ndërgjegjes ndërkombëtare. Vlerat për të cilat qëndruam, liria, dinjiteti dhe e drejta për të ekzistuar, u shndërruan në veprime ushtarake të botës perëndimore. Për 78 ditë e 78 netë rresht, NATO i dha Kosovës drejtësinë e vonuar – dhe atë në formën më të bukur të mundshme – nga qielli”, shkroi Abdixhiku.

Ai tha se sot, gati tri dekada më pas, “kujtojmë se liria jonë nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës sonë me vendimin e drejtë të aleatëve tanë”.

“Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë”, potencoi ai.

Dhe mbi këtë përgjegjësi, kreu i LDK-së thekson se “ndoshta duhet të nisim nga trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare të Republikës së Kosovës”. “Jo vetëm si një shenjë kalendari, por si një moment kujtimi për ditën kur historia ndryshoj drejtim për Kosovën”.