Sot shënohet 27-vjetori i fillimit të bombardimeve të aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur bota, NATO-s, mbi caqet e policisë dhe ushtrisë serbe.
Ky zhvillim erdhi pas dështimit të përpjekjeve diplomatike në Konferencën e Rambujes.
Marrëveshja e propozuar synonte zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës – në atë kohë krahinë e Serbisë në kuadër të Jugosllavisë – dhe Beogradit zyrtar.
Delegacioni shqiptar, i cili përbëhej nga Hashim Thaçi, si udhëheqës dhe përfaqësues politik i UÇK-së, Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së, Veton Surroi si përfaqësues i shoqërisë civile dhe Rexhep Qosja, e pranoi marrëveshjen.

Ai serb, i cili nuk u përfaqësua nga presidenti i saj, Slobodan Millosheviç, por nga zëvendëskryeministri Ratko Markoviç, jo.
Kështu ndodhi ajo që ishte paralajmëruar: bombardimi i Serbisë.
Ndërhyrja e NATO-s u justifikua si një veprim për të ndalur krizën humanitare dhe për të mbrojtur civilët në Kosovë.
Nga momentet më të rëndësishme ishte masakra e Reçakut më 15 janar 1999, ku 45 civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe.
Një ditë më vonë, më 16 janar, shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, vizitoi vendin e ngjarjes dhe e cilësoi atë si “krim kundër njerëzimit”.
Masakra e Reçakut ndikoi drejtpërdrejt në intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës.
Si rezultat, u organizua Konferenca e Rambujes (shkurt-mars 1999), e cila shënoi herën e parë që Kosova përfaqësohej me një delegacion të vetin në një forum ndërkombëtar.
Ndërhyrja e NATO-s erdhi si rezultat i refuzimit të Serbisë për të pranuar Marrëveshjen e Rambujes.
Bombardimet zgjatën 78 ditë, gjatë të cilave u goditën objektiva ushtarake dhe policore serbe.

Paralelisht, forcat serbe kryen krime të rënda: mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë, rreth një milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre, mijëra banesa u shkatërruan dhe mijëra gra u dhunuan.
Pas 78 ditë bombardimesh, më 9 qershor 1999, Kasapi i Ballkanit, Sllobodon Millosheviç, përmes gjeneralëve të tij, nënshkroi kapitullimin në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.
Kapitullimi i Serbisë, apo ajo që njihet si Marrëveshja e Kumanovës, u nënshkrua nga gjenerali Sir Michael Jackson, Komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe nga ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviç, i cili më vonë do dënohej nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burgim për krime lufte.

Dokumenti i nënshkruar parashihte një sërë detyrimesh. Kryesori, tërheqjen e plotë të trupave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova.
Më 10 qershor 1999, një ditë pas kësaj, Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, që vendosi kornizën ndërkombëtare për administrimin e Kosovës pasluftës.
Bombardimet e NATO-s mbeten një pikë kthese historike — një ndërhyrje që i dha fund një kapitulli të dhunshëm dhe hapi rrugën drejt zhvillimeve që çuan në pavarësinë e Kosovës.









