Blerta Foniqi – Kabashi, ka thënë se kthimi i saj si redaktore në edicionin qendror të lajmeve nga e Inspektoratit të Punës, është “vërtetim se RTK-ja ka bërë shkelje ligji, si dhe se Blerim Haxhiaj po qëndron kundërligjshëm si kryeredaktor aty”. Në një intervistë me VOX Kosova, ajo shtoi se kolegë të tjerë të saj janë nën presion në transmetuesin publik.
“E gjithë ajo që ka ndodhur me mua pas një interviste të bujshme, mund të konsiderohet si një lloj përndjekjeje nga ana e menaxhmentit të RTK-së, me direktiva që, sipas bindjes sime, vijnë nga partia në pushtet”, tha Foniqi – Kabashi.
“Nuk jam e vetmja që nuk i është nënshtruar. Ka edhe shumë kolegë të tjerë që vazhdojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe që, edhe këto ditë, po i vuajnë pasojat. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë po përballen me procedura disiplinore dhe reagime të shumta, vetëm pse kanë zgjedhur të punojnë në mënyrë profesionale dhe jo të nënshtruar”, theksoi.
“Unë nuk pretendoj se RTK-ja ka qenë duke lulëzuar para ardhjes së Blerim Haxhiajt si ushtrues detyre i Kryeredaktorit. Megjithatë, fatkeqësisht konsideroj se ai ka shkelur të gjitha standardet profesionale që nga momenti kur e ka marrë këtë detyrë. Besoj fuqishëm se pikërisht për t’i shkelur këto standarde është instaluar në atë pozitë”, shtoi ajo.
Ashtu siç VOX Kosova raportoi dje, Inspektorati Qendror i Punës ka detyruar Radio Televizionin e Kosovës që Blerta Foniqi Kabashin ta kthejë si redaktore të edicionit qendror të lajmeve.
Sipas vendimit që VOX Kosova e ka siguruar, ushtruesi i detyrës së Kryeredaktorit në transmetuesin publik, Blerim Haxhiaj nuk ka pasur kompetencë të marrë vendim për degradimin e saj si redaktore e programit.
Kjo ngase sipas konstatimit, atij i ka skaduar mandati në atë pozitë. Në shkresat e lëndës gjithashtu, del në pah presioni i Haxhiajt ndaj Kabashit për mënyrën e raportimit në RTK.








