Inspektorati Qendror i Punës ka detyruar Radio Televizionin e Kosovës që Blerta Foniqi Kabashin ta kthejë si redaktore të edicionit qendror të lajmeve. Sipas vendimit që VOX Kosova e ka siguruar, ushtruesi i detyrës së Kryeredaktorit në transmetuesin publik, Blerim Haxhiaj nuk ka pasur kompetencë të marrë një vendim të tillë. Kjo ngase sipas konstatimit, atij i ka skaduar mandati në atë pozitë. Në shkresat e lëndës gjithashtu, del në pah presioni i Haxhiajt ndaj Kabashit për mënyrën e raportimit në RTK.

Më 30 tetor të këtij viti, në adresën e Blerta Foniqi Kabashit, kishte shkuar një vendim për degradim në pozitë. Ajo, nga redaktore në edicionin e lajmeve, ishte caktuar si redaktore në programin satelitor në RTK. Vendimi kishte ardhur pas shumë presionesh e email-ash nga Blerim Haxhiaj, ushtrues detyre i kryeredaktorit në transmetuesin publik.

DOKUMENT:

Kishte të bënte me transmetimin e një lajmi në edicionin qendror të lajmeve në RTK, ku përmendet kjo e fundit. Raportimi i referohej një analize nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave ku thuhej se gazetarët ankohen se po punojnë në presion të madh nga partia në pushtet e ku citohej se “Qeveria ka përjashtuar nga ekrani disa gazetarë”.

“Me datën 17.10.2025, z. Blerim Haxhiaj, përmes E-mailit ju ka drejtuar znj. Blerta Foniqi Kabashi, lidhur me lajmin që është transmetuar në edicionin qendror të RTK-së, ku sipas tij është përmendur RTK, dhe lajmi i referohet një analize nga Grupi ndërkombëtar i krizave ku citon: në raport përmendet edhe transmetuesi publik, RTK, ku theksohet se gazetaret ankohen se po punojnë në presion të madh politik nga partia ne pushtet dhe nënvizohet se Qeveria ka përjashtuarnga ekrani në mënyrë të menjëhershme disa gazetar. I njëjti përmes E-mailit, i ka sqaruar palës ankuese se duke mos zbatuar udhëzimet e U.D. drejtorit gjeneral të RTK-së, të përcjella përmes E-mailit të datës 01.09.2025, që sqaron se e ka shpërndarë dhe udhëzuar stafi që ‘”per te siguruar që çdo raportim mbi RTK-në të jetë profesional, i balancuar dhe në përputhje me standardet e transmetuesit publik kërkohet që çdo material që lidhet me RTK-në apo menaxhmentin e saj të mos publikohet apo transmetohet pa u marrë edhe qëndrimi zyrtar i Menaxhmentit. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe kërkohet të zbatohet me seriozitetnga të gjitha redaksitë dhe stafi editorial”, thuhet në shkresat e lëndës së Inspektoratit.

DOKUMENT:

Haxhiaj, kur kishte nisur procedurën disiplinore ndaj Foniqi – Kabashit, ankohej se ajo nuk e kishte konsultuar atë si kryeredaktor.

“Pavarësisht këtij udhëzimi sipas z. Haxhiaj, znj Blerta Foniqi Kabashi në cilësinë e Redaktores së edicionit qendror të lajmeve – RTK/RTK-3-TV, ka përfshirë në edicionin e lajmeve të datës 16.10.2025, lajmin që i referohet një analize nga Grupi ndërkombëtar i krizave ku citon: në raport përmendet edhe transmetuesi publik, RTK, ku theksohet se gazetaret ankohen se po punojnë në presiontë madh politiknga partia ne pushtet dhe nënvizohet se Qeveria ka përjashtuar nga ekrani mënyrë të menjëhershme disa gazetar, me çka sipas tij duke mos u konsultuar më të si Kryeredaktor, ka bëre shkelje të rëndë pasi nuk ka përfillur udhëzimet e shpërndara përmes Emailit, me ç’rast ka bëre shkelje të rregullores si dhe kontratës së punës duke devijuar politiken editoriale të RTK-së, si transmetues publik e i pa varur”, thuhet tutje.

Por, Foniqi – Kabashi s’kishte as pse ta konsultonte. Kjo ngase ashtu siç ka konstatuar Inspektorati i Punës, Blerim Haxhiaj po qëndron jashtëligjshëm si kryeredaktor i RTK-së. Mandati si ushtrues detyre atij i ka skaduar.

“Bazuar në aktin e brendshëm të punëdhënësit, përkatësisht Rregullores për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK, me të cilën e ka rregulluar caktimin e ushtruesve të detyrës në RTK, në nenin 40 të saj ka paraparë caktimi i ushtruesit të detyrës së Kryeredaktorit, ku në piken 40.3 ka përcaktuar se: Ushtruesi i detyrës së Kryeredaktorit do të bëhet në kohëzgjatje jo më shumë se gjashtë (6) muaj, ndërsa në pikën 40.4, sqarohet se: Në rast se edhe pas periudhës kohore prej Faqe 6 gjashtë (6) muaj nuk caktohet Kryeredaktori në bazë konkursit publik, ushtrues detyre caktohet një i punësuar tjetër nga RTK. Andaj marr parasysh që z. Haxhiaj, pozitën e Ushtruesit të Detyrës e ka ushtruar në periudhën nga data 17.03.2025 deri ë 19.09.2025, pra i njëjti ka përfunduar mandatin dhe sipas rregullores së RTK-së, i njëjti nuk mund të ushtroj i njëjti por caktohet një ushtrues detyre tjetër atëherë edhe inicimi i procedurës disiplinore nga ana e z. Blerim Haxhiaj, ndaj punonjës znj. Blerta Foniqi, është ne kundërshtim më Nenin 3 dhe 4 të Rregullores për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK, pasi i njëjt i ka përfunduar mandatin me të cilin është caktuar ushtrues detyre në pozitën e kryeredaktorit”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.

Përveç tjerash, RTK nuk e kishte shqyrtuar fare ankesën e Foniqi – Kabashit, me ç’rast kishte konsumuar edhe shkelje tjera.

RTK tash, në bazë të këtij vendimi është e obliguar “që në afat prej 3 ditëve nga dita e pranimit të këtij Raporti Zyrtar, të eliminojë parregullsitë e konstatuara, në të kundërtën, Inspektorët e Punës, obligohen të veprojnë në përputhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ 07/2012, për gjobat dhe shumat konkrete për shkeljet e konstatuara, të neneve të lartpërmendura të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës”.

VOX Kosova kishte raportuar se si Blerim Haxhiaj, gazetari i afërt me pushtetin, i cili në intervistë me kryeministrin Albin Kurti bënte pyetje “ledhatuese”, përmes një organizate të udhëhequr bashkë me gruan e tij, nga pushteti i Vetëvendosjes kishte përfituar deri në 230 mijë euro brenda pak vitesh.

Vendimi i plotë: