Pas gjashtë vjetëve në qeverisje, Albin Kurti po premton sërish t’i përfundojë në mandatin tjetër disa nga rrugët kryesore.


Ajo për Gjilan, Podujevë, Mitrovicë e Gjakovë, bazuar në premtimet e tij, do të duhej të ishin kryer qysh moti – dikur kah 2023-ta. Tash, kryeministri në detyrë premton që disa të kryhen brenda vitit 2026 e disa deri në fund të mandatit tjetër – nëse arrin ta formojë Qeverinë.

Në intervistën për Kohavision, pa dhënë përgjigje konkrete se pse kaq shumë janë vonuar, Kurti premtoi sërish realizimin e tyre.

“Autostrada e Gjilanit, jemi në proces të riprojektimit të katër loteve dhe kjo do të përfundohet. Prishtinë – Podujevë përfundon në fund të këtij viti, 2026. Smrekonicë – Mitrovicë, segmenti i fundit që përfundon lidhjen e Mitrovicës me Prishtinën, e kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare dhe Prizren – Tetovë me tunel 6 kilometra, përfundon në fund të mandatit. Dollc – Gjakovë të mos shkojë deri në fund të mandatit, që është bërë fort e lodhshme”, ka deklaruar ai.

Kurti është mburrur shpesh me buxhetin e madh të alokuar dhe me mandatin e çuar deri në fund, por krejt këto projekte nuk janë përfunduar gjatë qeverisjeve të tij.

Ai është kryeministri që ka pasur më së shumti para në menaxhim, krahasuar me të gjithë kryeministrat e tjerë para tij.