Albin Kurti është kryeministri që ka pasur më së shumti buxhet në menaxhim, por asnjë projekt madhor e transformues nuk e ka përfunduar.
Për më shumë se pesë vjet në qeveri, madje me pushtet të fortë dhe pa koalicione të mëdha, ai ka menaxhuar rreth 15 miliardë euro buxhet.
Por, me gjithë këto para, as autostrada për Gjilan nuk u përfundua.
Kurti, 21 korrik 2023:
“Erdhëm këtu që të shohim për së afërmi punimet të cilat po kryhen për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan. Nga ajo çfarë pamë, mund të themi qartë dhe sigurt që Prishtina po lidhet me Gjilanin me autostradë. Pra, autostrada Prishtinë – Gjilan po bëhet”.
Nuk u kryen as magjistralet për Pejë, Podujevë dhe Mitrovicë – projekte që as nuk janë nisur nga qeveria e tij.
Nuk përfundoi as rruga Prizren–Tetovë.
Kurti, 2021:
“Kismet, pas dy ose tre vjetësh, do të udhëtojmë së bashku prej Prizrenit në Tetovë, ashtu veç për kafe”.
Aeroporti i Gjakovës mbeti vetëm premtim.
Kurti, shkurt 2021:
“Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë: cargo dhe për udhëtime me kosto të ulët”.
Asnjë spital i ri nuk u ndërtua dhe nuk u funksionalizua Fondi për Sigurimet Shëndetësore.
Kurti, shkurt 2021:
“Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike është detyrë e jonë, për të cilën zotohem para jush se do të përmbushet”.
Nuk nisi stadiumi nacional i futbollit.
Kurti, shkurt 2021:
“Afër kryeqytetit do të ndërtojmë qendrën më të madhe multifunksionale, pjesë e së cilës do të jetë edhe Stadiumi Nacional”.
As reforma e thellë ekonomike e proklamuar, Fondi Sovran dhe Banka Zhvillimore nuk u realizuan.
Kurti, shkurt 2021:
“Do të krijojmë Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore të Republikës së Kosovës. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre. Do ta shuajmë Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe asetet e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran”.
Në këto pesë vjet nuk u realizua as projekti i banimit të përballueshëm.
Kurti, shkurt 2021:
“Për çiftet e reja, gratë kryefamiljare, por edhe shërbyesit publikë, si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike, vetëm gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje”.
Asnjë projekt madhor në energji – vetëm blerje të rrymës, ku përfitojnë miliona edhe kompanitë serbe.
Shumica e buxhetit u orientua në skema sociale, të cilat, për shumë njohës të ekonomisë, nuk krijojnë zhvillim, por janë thjesht transfer parash – nga shteti te qytetari, e nga qytetari te faturat e shtrenjta të rrymës dhe çmimeve të produkteve bazë.
Kurti është i dyti për nga kohëzgjatja në detyrë si kryeministër, me gati 1900 ditë, pas Hashim Thaçit, i cili, në mbi 2400 ditë, menaxhoi rreth 10 miliardë euro, 5 miliardë më pak se Kurti.
Megjithatë, në atë kohë u nisën dhe përfunduan autostrada për Shqipëri e ajo për Shkup, u asfaltuan rreth 1500 kilometra rrugë, u ndërtuan qindra shkolla dhe u rritën pagat në sektorin publik.
Sikur herave të tjera, Kurti edhe këtë vit u mburr me buxhetin prej 4 miliardë eurosh.
Por ajo çka na ka treguar në qeverisje është një recitim rekordesh e premtimesh, që nuk eklipsojnë mungesën e veprave që do t’i shërbenin gjeneratave.








