Në komunën e Junikut, sipas kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, po votojnë edhe qytetarë që nuk janë banorë të kësaj komune. Kreu i AAK-së ka njoftuar se për këtë është njoftuar edhe Prokuroria.
“Shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, ku do të bëjmë padi për secilin person veç e veç”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin.
Më 22 tetor, Gjykata Supreme e Kosovës pati pranuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Junik për parregullsi gjatë procesit zgjedhor në Komunën e Junikut dhe kështu ka rrëzuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e kthyer rastin për rivendosje.









