Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Junik për parregullsi gjatë procesit zgjedhor në Komunën e Junikut dhe kështu ka rrëzuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e kthyer rastin për rivendosje.

“PRANOHET ankesa e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, Prishet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.217/2025, i datës 15.10.2025, dhe çështja i kthehet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në rivendosje”, thuhet në vendimin e Supremes.

AAK kishte kontestuar procesin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, duke pretenduar se gjatë ditës së votimit në Junik ishin shënuar parregullsi, pasi që kishin pretenduar se kishin votuar njerëz që nuk janë banorë të Junikut dhe kështu kishin kërkuar, ndër të tjera, që “të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale dhe Komuna e Junikut të shkojë në rivotim për shkak të shkeljeve të cekura në ankesë, të cilat kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor”.

Por, PZAP e kishte hedhur poshtë ankesën si të palejuar, duke e konsideruar të parakohshme, me arsyetimin se ishte paraqitur përpara shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ.

Gjykata Supreme, në aktvendimin A.A.nr.92/2025 të datës 20 tetor 2025, ka vlerësuar se vendimi i PZAP-it është nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe se ankesa e AAK-së ka qenë e bazuar. Sipas Gjykatës, PZAP ka interpretuar gabimisht dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pasi ankesa nuk kishte të bënte me rezultatet preliminare, por me parregullsitë gjatë ditës së votimit.

Në vendimin e saj, Gjykata udhëzon PZAP-in që të rishqyrtojë ankesën e AAK-së.

“Në rivendosje, PZAP, udhëzohet që ti evitojë shkeljet e theksuara si më lartë fillimisht sa i përket shkeljeve të dispozitave të LZP-së dhe Rregullores Nr.01/2025, dhe pastaj të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik dhe të nxjerr vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në vendim.