Behgjet Pacolli, biznesmen dhe politikan nga Kosova, është paraqitur të premten në Prokurorinë e Tiranës.
Raportohet se Pacolli është ftuar në Prokurori për t’u pyetur në lidhje me çështjen e aeroportit të Vlorës.
Në këtë rast, Pacolli është i kallëzuar nga biznesmeni Valon Ademi, ortaku i tij në projektin e aeroportit të Vlorës.
Por, po për të njëjtin rast, edhe Pacolli e ka kallëzuar biznesmenin Ademi.
Ndryshe, Behgjet Pacolli, bashkë me të vëllain e tij Emin Pacolli dhe administratorin e kompanisë së tyre në Shqipëri, Nelson Çela, po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për “mashtrim me pasoja të rënda”, “mashtrim kompjuterik”, si dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Dyshimet e Prokurorisë janë se Pacolli në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme, pasi ka mashtruar partnerin e tij fillimisht, më pas e ka bartur aeroportin e Vlorës në pronësi të një kompanie, përmes një kontrate që praktikisht ua merr fuqinë vendimmarrëse aksionarëve dhe e kalon atë te kompania.
Dyshimet janë, se kompania është një guackë, me lidhje që përfundimisht çojnë në Rusi.









