Ndonëse Vjosa Osmani ka shprehur hapur synimin për t’u rizgjedhur Presidente e Kosovës, madje edhe ka kërcënuar se nëse nuk do të ketë mbështetjen e partive do të përballet me to në zgjedhje, ish-partneri i saj i koalicionit, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse do të lobojë për të që të zgjidhet edhe për një mandat në krye të shtetit.
“Ju po e keni parasysh që herën e kaluar s’i bëmë dot 61, 80 është numër shumë më i madh se 61 dhe përderisa kësaj radhe ne 61 i kemi 80 nuk i kemi dhe këto marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat po përpiqemi që t’i kalojmë sa më shpejtë unë besoj që gjithashtu do të mund të na japin indikacione për rrugën përpara, por nuk besoj që është e drejtë as e dobishme që të flasim për hapin e katërt, pa i pa këta tre të parët”, tha Kurti në një intervistë për Kosova Press, pasi që u pyet konkretisht se a do lobojë për t’ia siguruar votat Osmanit.
Para çështjes së Presidentit, Kurti theksoi se janë tre hapa të tjerë të rëndësishëm: formimi i Kuvendit e Qeverisë dhe votimi i buxhetit.
“Pra, janë tre hapa para se të vijmë të rizgjedhja e Presidentes dhe unë besoj që nga këto tre hapa ne do t’i shohim se si janë gjasat përpara”, potencoi ai.
Duke folur për deklaratën e tij se do të takohet fillimisht me Osmanin për çështjen e Presidentit, deklaroi se ky takim nevojitet “për shkak se 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme”.
Por, megjithatë insistoi se vetëm pasi “t’i kemi kaluar këta tre hapa ne mund të flasim më tutje”.
“Sepse edhe nëse nuk arrijmë ta zgjedhim Presidentin ose ta rizgjedhim Presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është katër marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026 ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja se natyrisht ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që ne të shkojmë prapë në zgjedhje në rast që nuk arrijmë ta rizgjedhim Presidenten, por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar”, shtoi ai.
Prandaj, pohoi Kurti, “unë po them nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”.









