Në qoftë se partitë politike nuk do ta përkrahin edhe për një mandat si Presidente të Kosovës, atëherë Vjosa Osmani, pak muaj para se t’i përfundojë mandati i parë, ka thënë se do ta kenë përballë në zgjedhje.
“Në qoftë se [partitë] vendosin që po, do të vazhdojmë me punë të mira për vendin, mbrojtje të interesave të qytetarëve, në qoftë se vendosin që jo, atëherë unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, nëpërmjet angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë besa e shumëçka tjetër”, tha Osmani në një intervistë për Klan Kosova.
Osmani deklaroi se kërkon edhe një mandat për të vazhduar, siç tha ajo, “punët e mira” që ka bërë në mandatin e saj të parë. Ajo theksoi se për synim e saj edhe për një mandat në krye të shtetit e dinë të gjitha partitë politike, për shkak se ka folur publikisht për këtë çështje.
“Është në interes të Kosovës që të kemi një konsistencë, të kemi një vazhdimësi të punëve të mira që i kemi filluar, të lajmeve të mira, të fuqizimit imazhit të Kosovës, të mbrojtjes së dinjitetit të shtetit tonë – punë që besoj e kemi bërë me shumë sukses gjatë këtij mandati – dhe tani i takon të gjitha partive politike pa dallim që ta marrin një vendim të tillë në qoftë se do të përkrahin këtë vazhdimësi të punës sime, apo donë rrugë të tjera”, shtoi.
Por, Osmani potencoi se “cilëndo rrugë që e zgjedhin unë jam në rregull” dhe shtoi se nëse nuk e përkrahin do t’i kthehet politikës aktive, siç ka qenë më herët para se të bëhej Presidente.
“Mendoj që është në interes të Kosovës që ta kemi këtë vazhdimësi, të këtyre punëve të mira që i kemi bërë, mirëpo në qoftë se partitë politike nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, atëherë unë i kthehem jetës politike në mënyra të tjera sepse ende kam shumë për t’i dhënë vendit, për t’i shërbyer Kosovës dhe këtë punë do ta bëj, në qoftë se jo si Presidente, atëherë duke u angazhuar politikisht siç kam qenë në të kaluarën”, potencoi.
Osmani pretendon se kërkesën për një mandat të dytë e bazon edhe tek besimi qytetar, duke thënë se ka sondazhe të OJQ-ve – pa i cekur se cilat – të cilat kanë rezultuar, sipas saj, se 2/3 apo në disa raste 81 për qind e qytetarëve kërkojnë një mandat të dytë nga ajo si Presidente.
Se ka synim edhe një mandat në krye të shtetit, Osmani e bëri të ditur të hënën e 29 dhjetorit, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat u fituan bindshëm nga Vetëvendosja me mbi 49 për qind.
Paraprakisht, për këtë çështje, foli Kryetari i VV-së, në konferencën për media ku shpalli fitoren në zgjedhje. Ai tha se për çështjen e Presidentit fillimisht do të bisedojë me Presidenten aktuale dhe pastaj me partitë opozitare.
“Është tepër herët të flasim tani sonte do të festojmë dhe jo vetëm sonte. Por, natyrisht që nuk do të vonohemi që ta trajtojmë edhe këtë çështje. Na duhet që të bisedojmë edhe me opozitën për çështjen e Presidentes apo Presidentit të ardhshëm, por siç e kam thënë edhe mbrëmë në një emision në RTK paraprakisht do të ulem e të bisedojë me Presidenten aktuale”, ka thënë Kurti.









