Kryetarja e Komunës së Ranillugut, Tanja Antiç, është intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi që dyshohet se ka ndikuar te votuesit për të votuar sipas udhëzimeve të saj.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Me datën 28.12.2025, përmes rrugëve operative kemi pranuar informacion se anëtarja e kryesisë së forumit të gruas nga partia Lista Serbe dhe aktualisht Kryetare e Komunës së Ranillugut, dyshohet se përmes anëtarëve të Komisionit Komunal zgjedhor të kësaj partie në komunën e Ranillugut ka ushtruar ndikim tek votuesit e pa përcaktuar ose votuesit e subjekteve të tjera”, ka thënë Hashani për “Betimi për Drejtësi”.
Ai theksoi se ata dyshohet që “janë kanosur për ndërprerje të benifiteve të cilat këta qytetarë i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mos votimit sipas udhëzimeve”.
Hashani njoftoi se e dyshuara “është shoqëruar në ambientet e hetimeve rajonale dhe intervistuar në prezencën e avokatit me qëllim të verifikimit të informacioneve dhe sqarimit të rrethanave”.
Pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është liruar, ndërsa rasti “Cenim i fshehtësisë së votimit” do vazhdojë të hetohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore.









