Në Konventën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës është miratuar dorëheqja e Memli Krasniqit nga pozita e Kryetarit të partisë, vendim të cilin e kishte njoftuar më 12 tetor.
Miratimi i dorëheqjes u bë me shumicë votash të delegatëve të pranishëm në Konventë. Propozimi për miratimin e dorëheqjes u bë nga Xhavit Haliti.
Në fjalën e tij në nisje të konventës, Krasniqi tha se delegatët i dhanë atij besimin në një periudhë të vështirë për partinë.
“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq. E lënduar nga e kaluara, e tronditur nga ngjarje të papritura, dhe nën presion të madh politik. Me pesë komuna nën qeverisjen tonë, me 148 mijë vota në zgjedhje nacionale, me 18 deputetë dhe me rezultat 11 për qind në sondazhe”, tha Krasniqi.
Në atë periudhë, ai deklaroi se disa flisnin për rënie, disa për krizë, “disa madje për fillim të fundit për partinë tonë”. “Por, së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, shtoi.
Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që janë larguar nga PDK-ja që të rikthehen, siç tha ai, në “shtëpinë e tyre politike”.
“Prandaj sot, nga kjo foltore, dua t’u bëj një thirrje të qartë të gjithëve që qoftë edhe një herë gjatë jetës së tyre kanë thënë: Unë jam PDK: Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike”.
“Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, potencoi Krasniqi ndër të tjera.
Pas pak pritet që PDK-ja ta zgjedhë Kryetarin e ri të saj. Deri më tani vetëm Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend.
PDK-ja deri më tani ka pasur tre kryetarë dhe një ushtrues detyre. Kjo parti, që nga themelimi e deri në vitin 2016 ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi. Ai kishte dhënë dorëheqje pasi që ishte zgjedhur President i Kosovës.
Thaçin e kishte pasuar Kadri Veseli, i cili kishte drejtuar PDK-në deri në nëntor të vitit 2020. Ai kishte dhënë dorëheqje për shkak se i ishte ngritur aktakuzë për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.
Si ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së ishte caktuar Enver Hoxhaj. Ai kishte qëndruar në këtë pozitë për disa muaj.
Më pas, si Kryetar, më 3 korrik 2021, ishte zgjedhur Memli Krasniqi. Ai ishte rikonfirmuar si Kryetar i PDK-së më 21 qershor të vitit 2025, në Konventën e Përgjithshme të PDK-së, të njëmbëdhjetën me radhë.
Si Kryetar i PDK-së, Krasniqi ka qenë për plot 4 vjet e katër muaj.









