Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeko është përfshirë në një shkelje të rëndë ligjore përbrenda institucionit që drejton aktualisht. Më 08 korrik, U.D i ministrit kishte caktuar Imer Hakajn në krye të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ia ka rrëzuar këtë vendim dhe e ka detyruar tash kandidatin për Prishtinë që ta zbatojë brenda 15 ditësh konstatimin e vet.

Ishte korriku i këtij viti, kur Imer Hakaj u transferua nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, në krye të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale(AMMKM). Emërimi i Hakajt si U.D i Drejtorit aty u bë me një vendim të Ministrit në Detyrë, Hajrulla Çeko. Por, ky i fundit konsumoi shkelje të fortë të ligjit. Injoroi zyrtarët që do të duhej të caktoheshin në këtë pozitë dhe e emëroi “të preferuarin e tij”.

“…duke marrë për bazë se organi përkatës i punësimit ka strukturën e vet organizative, rrjedhimisht ka dy (2) pozita të kategorisë së mesme drejtuese brenda njësisë së vetë organizative, ku në mesin e tyre përfshihet edhe pozita e ankuesit, ajo e Drejtorit të Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme, dhe në kuptim të nenit 35 paragrafit 2 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, në vlerësimin e Kolegjit të Këshillit, në pozitën e Drejtorit të AMMKM-së, duhej të caktohej zyrtarja/i më i lartë i kategorisë pasuese nga kjo agjenci gjegjësisht do duhej të shfrytëzohen të gjitha mundësitë e brendshme për arritjen e këtij qëllimi, detyrimisht do duhej që pozitën e lire te Drejtorit të AMMKM-së, ta mbulonte me njërin nga zyrtarët publik që është me akt emërim ne pozitën e Drejtorit të Departamentit brenda agjencisë përkatëse”, thuhet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

DOKUMENT:

Vendimi i Çekos, duke qenë jashtëligjor është edhe i pavleshëm. Ai, shkeli tri nene të dy ligjeve.

“Kolegji i Këshillit, konstaton se Ministri në detyrë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me rastin e nxjerrjes së Vendimit me Nr.84/2025 të datës 08.07.2025, përkatësisht me caktimin e z.I.H, në pozitën e U.D Drejtori të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, nuk ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike dhe juridike dhe gabimisht ka zbatuar të drejtën materiale, duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 35 paragrafin 2 të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publik, nenin 9 paragrafin 1 të Ligjit Nr. 08/L-294 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, si dhe me nenin 4 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, prandaj në kuptim të nenit 52 paragrafit1 nën paragrafit 1.3 dhe 1.5 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i njëjti akt kontestues, rezulton si i paligjshëm dhe si i tillë është shfuqizuar sikurse në dispozitivin e këtij vendimi”, thuhet tutje në vendimin e Këshillit.

DOKUMENT:

Imer Hakaj u bë i njohur për publikun kur kishte marrë “bajrakun” e betejës mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës në lidhje me ndërprerjen e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

Debati shpërtheu pas vendimit të ITK-së për ndalimin e punimeve në atë zonë, të cilën institucioni e konsideron pjesë të trashëgimisë së mbrojtur. Çështja mori jehonë pas deklaratave të kryetarit Përparim Rama, e ku Hakaj pretendoi për “sulme” ndaj institucionit pas këtyre vendimeve.