Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar edhe zyrtarisht se Belinda Balluku, numri dy i qeverisë Rama, është nën hetime.

Zëvendësja e kryeministrit Edi Rama po akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.

Hetimi lidhet me procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum–Himarë, në autostradën Vlorë–Sarandë.

Sipas SPAK, tenderi në fjalë është zhvilluar fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe pas anulimit të tij, është rihapur më 22 qershor 2021 me fond limit prej mbi 18 miliardë lekësh, pa TVSH.

“Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal”, shkruhet në njoftimin e SPAK.

“Faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë”, vijon njoftimi i prokurorisë.