Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor.

Kjo datë është caktuar nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e partive politike të enjten.

“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa me të gjerë të qytetarëve ne këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, deklaroi Haxhiu në një konferencë për media.

7 qershori u kërkua edhe nga partitë opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare po mbahen pasi që Kuvendi dështoi që ta zgjedh Presidentin e ri.