Në ora 20:00 Kuvendi do të mblidhet për të shqyrtuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që kanë të bëjnë me ndryshimin e procedurave të zgjedhjes së Presidentit në votim direkt nga qytetarët.
Osmani procedoi propozimet në Kuvendin e Kosovës në ditën e fundit të afatit të zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk e kandidoi edhe për një mandat në krye të shtetit.
Kjo nismë u përkrah nga Vetëvendosje.
Menjëherë pas procedimit të propozimeve të Osmanit u mbajt mbledhja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ku amendamentet u pranuan për procedim në Seancë Plenare.
Deputetët e VV-së në këtë komision votuan për, ata të Partisë Demokratike votuan kundër, ndërkaq ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.
Amendamentet e propozuara nga Osmani ishin hartuar në vitin 2011 nga Komisioni për Ndryshime Kushtetuese dhe kishin marrë dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese, por nuk kishin kaluar Kuvendin e Kosovës.
Për ndryshimin e Kushtetutës duhet shumicë e dyfishtë votash, pra dy të tretat e deputetëve shqiptarë dhe dy të tretat e pakicave.









