Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar zyrtarisht tërheqjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), njoftoi administrata Trump të enjten.
Kjo ndodh saktësisht një vit pasi Presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi urdhërin ekzekutiv për të nisur procesin e tërheqjes.
Vendimi u njoftua nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) dhe Departamenti i Shtetit.
Një zyrtar i lartë i HHS tha të enjten se OBSH-ja “është larguar nga misioni i saj thelbësor dhe ka vepruar në kundërshtim me interesat e SHBA-së për mbrojtjen e shëndetit publik amerikan në disa raste”.
HHS e përqendroi një pjesë të madhe të kritikave në veprimet e OBSH-së gjatë pandemisë së COVID-19, duke pretenduar se ajo e vonoi reagimin duke shpallur me vonesë COVID-19 si një emergjencë globale shëndetësore dhe duke thënë se organizata e kritikoi padrejtësisht Trumpin për veprime si ndalimi i udhëtimeve nga disa vende të huaja në ditët e para të pandemisë.
HHS gjithashtu argumentoi se vende të tjera, si Kina, kanë kontribuar financiarisht më pak se SHBA-ja dhe se pavarësisht shumës së madhe të kontributeve amerikane, asnjëherë nuk ka pasur një drejtor të përgjithshëm amerikan në krye të OBSH-së.
Zyrtari i lartë i HHS tha se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë lidere në shëndetin publik global dhe se HHS tashmë ka më shumë se 2,000 punonjës në 63 vende dhe marrëveshje dypalëshe me qindra shtete.
Për të mbushur boshllëqet që do të krijohen nga dalja nga OBSH-ja, zyrtari tha se ekzistojnë “plane” për të bashkëpunuar me organizata të tjera në fushat e monitorimit, diagnostikimit dhe reagimit ndaj katastrofave.
Për një vend që të largohet nga OBSH-ja, Kombet e Bashkuara thonë se ekzistojnë kritere të caktuara, përfshirë njoftimin një vit përpara dhe pagesën e të gjitha detyrimeve financiare.
SHBA-ja e dha njoftimin njëvjeçar kur Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv. Megjithatë, sipas OKB-së, SHBA-ja aktualisht i detyrohet më shumë se 270 milionë dollarë OBSH-së për periudhën 2024–2025.
Zyrtari i lartë i HHS argumentoi se SHBA-ja nuk ka detyrim ligjor për të paguar sipas Kushtetutës së OBSH-së, e cila u miratua në vitin 1948.
Një zëdhënës i OBSH-së vuri në dukje se tërheqja ishte “në rendin e ditës të mbledhjes së ardhshme të Bordit Ekzekutiv dhe se Sekretariati do të veprojë sipas këshillave dhe udhëzimeve të organeve tona drejtuese”.
Mbledhja është planifikuar për fillim të shkurtit.
HHS ka thënë se aktualisht nuk ka plane për t’u ribashkuar me OBSH-në apo për të marrë pjesë si vëzhgues.









