Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista për Familjen kanë arritur marrëveshje koalicioni për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.

Kjo u bë e ditur në një konferencë të përbashkët për media nga Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kreu i Listës për Familjen, Eman Rrahmani.

“Kemi bërë marrëveshje për koalicion para zgjedhor dhe pas zgjedhor. Qëllimi i këtij koalicioni është që të bashkojmë forcat në funksion të asaj që të bëjmë progres dhe ta ndryshojmë gjendjen në vend, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, energjinë, sigurinë dhe, normalisht, duke pasur kujdes edhe për mirëqenien dhe familjen”, tha Hamza.

Kreu i PDK-së u shpreh i bindur që ky është një koalicion “i qëndrueshëm dhe bashkërisht ne do të kemi sukses”.

“Normalisht që do të kemi pjesëmarrje nga Lista për Familjen në listën zgjedhore të PDK-së dhe është vlerë e shtuar gjithë kandidatët për deputetët që do të jenë listë të përbashkët”, potencoi ai.