Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar zyrtarisht mbështetjen e partisë së tij për kandidaturën e pavarur të aktorit Florjan Binaj, për Bashkinë e Tiranës.
“Jam sot këtu për të informuar qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë se, mes një sërë kandidaturash të vlefshme, të propozuara si nga figura drejtuese brenda Partisë Demokratike, ashtu edhe nga personalitete të pavarura nga fusha të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, PD ka vendosur të mbështesë kandidaturën e zotit Florjan Binaj”, tha Berisha në një konferencë për shtyp.
I pari i demokratëve ka thënë se kjo zgjedhje është përfundimi i një konsultimi të brendshëm partiak, duke shtuar se ky propozim do tu paraqitet edhe opozitarëve të tjerë në mënyrë që të tentohet të arrihet një mbështetje e përbashkët.
“Duke falënderuar me mirënjohje të gjithë ata që paraqitën kandidaturat e tyre në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe në përballje me të keqen që përfaqëson Edi Rama, Partia Demokratike mbështet zyrtarisht Florjan Binaj – një artist i mirënjohur, një personalitet i shquar publik dhe një zë i fuqishëm i kauzave qytetare”, shtoi Berisha.
Aktivisti i njohur, Florjan Binaj, njoftoi për kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, të dielën e 5 tetorit. Për kundër-kandidat nga Partia Socialiste, Binaj do ta ketë Ogerta Manastirliu, funksionaren qeveritare që u zyrtarizua për kandidate gjatë një konference në muajin shtator.