Lumir Abdixhiku është nominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës si kandidat për Kryeministër në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.

Lajmin e bëri të vetë Abdixhiku, përmes një konference për media të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

“Te çështja e kandidatit për kryeministër, ndonëse e hapa si diskutimin, ishte diskutim i shkurt. Kryesia e LDK-së e konsideroi se përderisa ka si kryetar partie, nuk ka nevojë të ketë tjetër për Kryeministër, prandaj më nominoi kandidat për Kryeministër”, tha Abdixhiku.

“Në këtë pikë, mora edhe autorizimin që të përpilojë listën. Hoqa dorë nga e drejta ime për të bërë renditjen e listës, të jetë një grup më i gjërë në mënyrë që të mos ketë pakënaqësi se kush është më përpara në listë e kush prapa”, shtoi.

Kreu i LDK-së bëri të ditur se partia që ai drejton do të garojë vetëm në zgjedhje, por që u shpreh i gatshëm që në listë të përfshi individë e akterë të tjerë, ndër to edhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

“LDK-ja ka vendosur sot në Kryesi se në këtë garë do të garojë e vetme, pra vetëm si LDK, por që brenda listës së LDK-së do të zhvillojë diskutime me potencialisht individë, akterë, besa edhe parti politike që mund të jenë pjesë e listës së LDK-së”, pohoi.

“LDK-ja do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hap për partitë e tjera përfshirë edhe Limajn me deputetët e vetë. Për këtë çështje do të zhvillohen bisedime në ditët në vijim, por le të themi se kemi gatishmëri. Siç kemi gatishmëri edhe për partitë e tjera: Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, Aleancën e Pacollit… Pra ne jemi të hapur edhe për partitë”, theksoi ai.