Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se është liruar kameramani, Jetmir Muji, i cili po xhironte për një raport rreth shkollimit të vajzave të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“AGK-ja është njoftuar se pas disa orësh të mbajtjes së jashtëligjshme në Stacionin Policor Qendër, kameramani Jetmir Muji është liruar. Pasi ka dhënë një deklaratë dhe është mbajtur pa ndonjë shpjegim, një prokuror ka urdhëruar lirimin e Mujit”, thuhet në reagim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar fuqishëm arrestimin dhe mbajtjen arbitrare të Mujit për disa orë në polici dhe ka kërkuar përgjegjësi nga ana e Policisë së Kosovës për abuzim me detyrën nga ana e pjesëtarëve të saj.