Liburn Aliu, ish-Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, është prezantuar të martën si Drejtor i Portit të Durrësit.
Prezantimin e tij e ka bërë Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë e Shqipërisë, Belinda Balluku, në një konferencë për media.
“E kam njohur në punë dhe njerëzit njihen në punë, e kam njohur vite më parë kur kemi qenë kolegë të dy qeverive…”, tha Balluku.
Ajo tha se Aliu është “një koleg i mirë, i cili Kosovën e Shqipërinë i ka parë gjithmonë si një treg i përbashkët i zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor”.
Balluku tregoi se e kishte telefonuar Aliun në shtator, pasi që ky i fundit e kishte njoftuar se do të largohej nga politika, për ta pyetur “nëse ishte i interesuar që të kontribuonte për Shqipërinë dhe si rrjedhojë padyshim edhe për Kosovën”.
“E diskutuam me njëri-tjetrin dhe me thënë të drejtën ma ngrohu direkt zemrën sepse iu duk një propozim shumë interesant, një propozim që i shkonte për shtati vendimit që ai kishte marrë për të jetuar në Tiranë, kështu që me radhën time, këtë propozim e çova te Kryeministri”.
“Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën me të njëjtin pasion dhe dëshirë për t’i parë shqiptarët në lartësinë që ata e meritojnë. Nuk është hera e parë që qytetarë të Kosovës janë përfshirë në ekzekutivin shqiptar… por Liburn Aliu, unë them, mendoj, për atë që unë e njoh, është më i spikaturi ndër të gjithë kolegët kosovarë që na janë bashkuar në rrugëtimin tonë të kësaj dekade për ndërtimin e Shqipërisë”.
Ajo tregoi se Kryeministri Rama ia ka aprovuar propozimin e saj, “madje duke e mbështetur pasi që Porti i Durrësit është Porti i Shqiptarëve dhe nuk është Porti i Shqipërisë”. “Është Porti që do t’i shërbejë shqiptarëve në të gjitha trevat e Ballkanit Perëndimor”, shtoi.
Aliu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Ministrit të Infrastrukturës më 27 gusht të këtij viti. Ai kishte thënë se ky vendim kishte ardhur pas zgjedhjes së Dimal Bashës Kryetar i Kuvendit.
“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, shkruante Aliu më 27 gusht.









