Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, do të propozohet për President nga partia e tij, Vetëvendosje. Për këtë, ka njoftuar zyrtarisht kjo parti. VV u ka bërë thirrje edhe partive të tjera të propozojnë kandidatët e tyre.
“Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar. Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, theksohet në njoftimin e VV-së.
Seanca ku do të vohohet kandidatura e Konjufcës pritet të mbahet sonte(e mërkurë, 4 mars).
Mandati i Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, skadon më 04 prill. Kryetarja e shtetit, nuk i është përgjigjur VOX Kosovës në pyetjen se pse kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka hequr dorë nga propozimi i emrit të saj edhe për një mandat në krye të Presidencës.









