Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Gjykatës Speciale, që do të mbahet të premten në Tiranë, në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 17:00.

Këtë e ka bërë të ditur kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media, të martën, pas një vizite që ka pasur të hënën në Shqipëri, ku theksoi se ka gjetur mbështetje të madhe për protestën e së premtes.

“E kemi të konfirmuar se Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në protestë”, tha Gucati, derisa tregoi se janë duke pritur përgjigjen e tij nëse do të mbajë fjalim apo jo.

“Nuk besoj që do të na refuzon fjalimin të paktën, krejt varet prej agjendave të tij, po në protestë do të merr pjesë Edi Rama, kështu që edhe dje na ka thënë se do të merr pjesë në protestën e 17 tetorit”, theksoi ai.

Gucati pret që numri i pjesëmarrësve në protestë do të jetë i madh. “Vetëm nga Kosova, deri më sot, i kemi mbi 60 autobusë që janë konfirmu nga shoqatat tona – e invalidëve, dëshmorëve dhe veteranëve”, shtoi ai, teksa falënderoi disa prej kryetarëve të komunave të Kosovës që e kanë mundësuar transportin.

Përveç tij, ai bëri të ditur edhe folësit e kësaj proteste. Do të jenë: ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe një familjar i një dëshmori të Shqipërisë në luftën e Kosovës.