Afati për dorëzimin e fjalëve përfundimtare në rastin e dytë ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë është shtyrë për 3 korrik, ndonëse ishte paraparë që të paraqiteshin më 19 qershor.

Kështu, kjo zvarritje e procesit, që është bërë shumë trend në Speciale, e shtyn edhe kohën e dhënies së aktgjykimit nga trupi gjykues.

Vendimin për datën e re të dorëzimit të dosjeve e ka marrë gjyqtari kanadez në Gjykatën Speciale, Christopher Gosnell.

Një nga arsyet e shtyrjes është edhe pritja e vendimit të Gjykatës së Apelit në Speciale, në lidhje me rrëzimin që i kishte bërë Gjykata dëshmisë së ekspertit nga Instituti Holandez për Kriminalistikë.

Ai pretendonte se dokumentet e gjetura në shtëpinë e Isni Kilajt dhe veturën e Bashkim Smakajt u printuan nga Hashim Thaçi. Rasti në Apel është dërguar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

“Palët duhet të jenë të gatshme t’i dorëzojnë fjalët përfundimtare pas ‘një lajmërimi të shpejtë’ për shkak të pritjes nga Apeli. Nga palët pritet të dorëzojnë dosjet jo më vonë se tri ditë pune pas njoftimit për vendimin e Apelit”, tha Gosnell.

Afati u shty edhe për shkak të kërkesës së Fadil Fazliut, pasi që anëtarët e mbrojtjes së tij kanë probleme shëndetësore.

Në bazë të këtij vendimi për shtyrje, nëse deri më 3 korrik dorëzohen fjalët përfundimtare, siç merr vesh VOX Kosova, një afat optimal për seancat e fjalëve përfundimtare është dy javë pas korrikut.

Por, nëse as më 3 korrik nuk vjen vendimi, apo nuk dorëzohen dosjet përfundimtare, gjasat janë që procesi, pra paraqitja e fjalëve përfundimtare, të shtyhet deri pas pushimeve verore.

Kjo pasi që Specialja pritet që të shkojë në pushim në mes të korrikut dhe nuk do të kthehet në punë deri në fund të gushtit.

Ndërkohë, deri më 20 korrik, paneli i gjyqtarëve në rastin e madh, atë të katër krerëve të UÇK-së ka kërkuar deri më 20 korrik kohë për shpalljen e aktgjykimit. Seancat dëgjimore në këtë rast përfunduan qysh në muajin shkurt.

Ligjërisht, paneli mund të kërkojë afat shtesë edhe pas 20 korrikut. Në praktikë, njoftimin për shtyrje ose shpallje në datën e paracaktuar të aktgjykimit, paneli e bën dy javë më herët. Në këtë rast, i bie që duhet një njoftim në ditët e para të korrikut, nëse aktgjykimi shtyhet apo shpallet dikur deri më datën 20 korrik. Krerët e UÇK-së janë në proces gjyqësor e paraburgim në Hagë tash gati 6 vjet.