“Pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentës së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë”,
kishte deklaruar Albin Kurti për kandidaturën e Blerim Isufaj për Kryeprokuror.

Dukshëm, kësaj qasjeje i është bashkuar edhe Albulena Haxhiu, Ushtruese e Detyrës së Presidentes.
Me një ton të njëjtë, qartazi presionues, ajo kërkon rishpalljen e konkursit, duke lënë të kuptohet se procesi duhet të kalojë edhe përmes filtrit të saj politik.

“Këshilli Prokurorial sa më parë duhet të shpallë konkursin, por duhet të sigurohet që procesi të mos jetë i komprometuar, siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse asnjëherë nuk do të dekretohen personat që kalojnë përmes proceseve të komprometuara apo të përgatitura paraprakisht” tha Albulena Haxhiu – U.D. Presidente e Kosovës.

Megjithatë, paradoksi është i dukshëm: është pikërisht ky pushtet që, me veprime të qëllimshme apo zvarritëse, e ka lënë vendin pa Kryeprokuror që nga viti 2022.
Rezultati? Një vakum institucional që prodhon pasiguri dhe minon funksionimin e shtetit ligjor.

Në një kohë kur vetë qeveria përballet me akuza dhe afera të shumta korruptive, mungesa e një Kryeprokurori të plotfuqishëm ngre dyshime serioze për motivet reale të kësaj bllokade.
Roli i Kryeprokurorit është thelbësor pikërisht në hetimin e korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë  dhe kjo e bën këtë pozitë potencialisht “të rrezikshme” për pushtetin.

Procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit po hyn sërish në një cikël të stërzgjatur dhe të paqartë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, me përbërje të re, po merret me ndryshime rregullative që rrezikojnë të zgjasin edhe më tej një proces tashmë të tejzgjatur.

Topi tashmë është në fushën e Komisionit për Çështje Normative të KPK-së, që pritët të ia dërgoj Këshillit për aprovim.

Nëse dekretimi i Kryeprokurorit do të mbetet në dorën e Albulena Haxhiu, një gjë duket e parashikueshme: vazhdimi i bllokadës.

Kundërshtimin ndaj Blerim Isufajt e kanë shprehur gjithmonë hapur, por asnjëherë nuk është bërë e qartë se çfarë konkretisht kanë kundër tij.
Pse Albin Kurtit i pengon kaq shumë Blerim Isufaj?

Isufaj është ish-ushtar i UÇK-së dhe, që nga viti 2010, ka shërbyer si prokuror i Krimeve të Rënda. Në vitin 2013 kaloi në Prokurorinë Speciale, ku qëndroi deri në vitin 2016. Më pas, deri në vitin 2019, ishte kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, për t’u rikthyer sërish si prokuror special.

Deri më sot, pas emrit të tij nuk lidhet asnjë skandal konkret që do ta justifikonte këtë kundërshtim kaq të zellshëm nga pushteti. Atëherë, çfarë realisht kanë kundër Isufajt?