Ghulam Kehar u ngrit para agimit në fillim të qershorit për të marrë pjesë në faljen e parë të ditës në xhaminë e tij lokale në Irving, Teksas, përpara se të nisej për një angazhim disamujor me Rojën Bregdetare të SHBA-së.
Ai ishte dërguar edhe më parë në angazhime të tilla, por këtë herë ishte ndryshe.
Ndihej në ankth për të lënë pas gruan dhe katër fëmijët e tij në Teksas, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër.
Sulmet retorike ndaj myslimanëve nga udhëheqësit kryesorë të Teksasit ishin bërë më të theksuara dhe dukej se po përhapeshin edhe te njerëzit e tjerë.
Në xhaminë e tij, Valley Ranch Islamic Center, si dhe në xhami të tjera në të gjithë shtetin, besimtarët dhe udhëheqësit fetarë shkëmbenin histori për komente fyese drejtuar atyre teksa luteshin në publik ose qëndronin në parqe publike.

Gjatë muajve të fundit, një burrë u arrestua dhe u akuzua për kërcënim terrorist në një qendër të madhe të re islame në Houston.
Jo shumë larg, në Conroe, një grua u tha blerësve myslimanë në një dyqan ushqimor se ata “nuk ishin të mirëpritur në këtë shtet apo në këtë vend” – pasi humbi vendin e punës, ajo mori rreth 250 mijë dollarë nga mbështetësit, pasi videoja e komenteve të saj u përhap gjerësisht.
Në McKinney, një periferi e Dallasit, një grua kapi një ish-kryetar bashkie dhe i futi në këmishë një letër me një mesazh kundër myslimanëve gjatë një seance të tensionuar të Këshillit Bashkiak për zgjerimin e një xhamie.
“Ta lija familjen vetëm në këtë mjedis, do të ishte pak shqetësuese”, tha zoti Kehar për familjen e tij. “Është thjesht frika nga ajo që po thuhet atje jashtë”.
Ai organizoi që familja e tij t’i bashkohej atij në angazhimin pranë kufirit me Kanadanë.
Zoti Kehar, i cili u rrit në Kaliforni, është pjesë e një numri në rritje të myslimanëve që janë zhvendosur në Teksas gjatë dekadave të fundit në kërkim të shkollave të mira, shtëpive të përballueshme dhe një komuniteti të lulëzuar besimtarësh.
Zona Dallas-Fort Worth ka qenë veçanërisht tërheqëse për familje si e tija. Dhjetëra xhami janë hapur.
Disa prej tyre po zgjerohen.
Të tjera, si DeSoto House of Peace, një qendër vezulluese në jug të Dallasit, synojnë të krijojnë pika të reja mbështetjeje për komunitetet myslimane në Teksas.
“Ky është vendi ku duhet të jenë myslimanët amerikanë”, tha Tammam Alwan, i cili u zhvendos në Irving nga Detroiti pasi e zbuloi komunitetin përmes videove fetare në internet.
“Bëra një lutje: Të lutem, Zot, më dërgo në Irving.”
Por, teksa komunitetet janë rritur, është rritur edhe pakënaqësia ndaj myslimanëve.
Premtimi për të luftuar “Islamin radikal” ka qenë prej kohësh pjesë e politikës republikane.

Retorika është intensifikuar edhe më shumë në nivel kombëtar, pasi myslimanë si Zohran Mamdani, kryetari demokrat-socialist i Nju Jorkut, dhe Abdul El-Sayed, kandidati progresist demokrat për Senatin në Michigan, fituan gara të rëndësishme.
Por politikanët në Teksas kanë shkuar përtej fjalëve, duke përdorur pushtetin e shtetit kundër disa grupeve myslimane.
Një pikë e rëndësishme kthese erdhi në fillim të vitit 2025, pasi anëtarët e East Plano Islamic Center prezantuan planet për një zhvillim të pasurive të paluajtshme, në qendër të të cilit do të ishte një xhami e re në tokat bujqësore në lindje të Dallasit. Kundërshtimi ishte i menjëhershëm dhe i ashpër.
Udhëheqësit shtetërorë, përfshirë guvernatorin Greg Abbott dhe Prokurorin e Përgjithshëm Ken Paxton, që atëherë kanë nisur hetime ndaj institucioneve myslimane në të gjithë Teksasin.
Ata janë përpjekur të bllokojnë zhvillimin e projektit të pasurive të paluajtshme dhe të hetojnë këshillimin fetar për divorcet.
Zoti Abbott kërcënoi se do t’u hiqte financimin shtetëror aeroporteve të Teksasit që ofrojnë hapësira për larje rituale për udhëtarët myslimanë, urdhëroi anulimin e një feste në një park privat ujor për të shënuar një festë myslimane dhe e cilësoi Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, një organizatë kombëtare për të drejtat civile, si grup terrorist – një hap që as administrata Trump nuk e ka ndërmarrë deri më tani. (Florida e ndoqi Teksasin duke i dhënë të njëjtin cilësim CAIR-it.)
Përpjekjet e udhëheqësve republikanë të shtetit për të kufizuar praktikat islame kanë përkuar me një përpjekje për të zgjeruar rolin e krishterimit në jetën publike.
Në qershor, Teksasi u bë shteti i parë që vendosi me ligj leximin e Biblës në shkollat publike, ku ligjvënësit tashmë kishin kërkuar kohë për lutje dhe vendosjen e Dhjetë Urdhërimeve.
Për shumë votues konservatorë në Teksas, Islami e ka zëvendësuar çështjen e kufirit si një shqetësim madhor që nga fillimi i vitit të kaluar, kanë thënë konsulentë republikanë.
Aktivistët kundër myslimanëve dhe kandidatët e së djathtës së skajshme e kanë përshkruar gjithnjë e më shumë Islamin si të papajtueshëm me vlerat amerikane.
Ata paralajmërojnë se Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të duken si Evropa, ku popullsia myslimane është më e madhe.
“Unë nuk do të pushoj derisa çdo mysliman të jetë larguar”, shkroi këtë verë në rrjetet sociale Bo French, një kandidat republikan në rang shtetëror.

Udhëheqësit myslimanë në Teksas kanë debatuar se si të përgjigjen.
Disa kanë këshilluar afrimin dhe komunikimin me komunitetet e tjera.
Të tjerë ishin të zhgënjyer nga rikthimi i një retorike që kishte qenë kryesisht e fjetur që nga sulmet e 11 shtatorit, pavarësisht viteve të përpjekjeve për të nxitur mirëkuptimin ndërfetar.
“Ne jemi përpjekur vazhdimisht t’u referohemi asaj që kemi bërë dhe të shpresojmë që rezultatet tona të flasin vetë, në mënyrë të natyrshme”, tha Dr. Omar Suleiman, një dijetar i njohur mysliman, në një intervistë në xhaminë Valley Ranch.
“E provuam këtë dhe nuk na solli asgjë”.
Ky moment kërkonte një qëndrim “të fortë”, tha zoti Suleiman, si dhe një mbrojtje të fuqishme ligjore kundër asaj që ai i cilësoi si sulme të rreme.
“Duhet t’ua bëjmë gënjeshtrën realisht të kushtueshme, ligjërisht dhe politikisht, këtyre njerëzve”, tha ai. “Duhet t’u kundërvihemi”.
Ai iu referua mbrojtjeve fetare të garantuara nga Kushtetuta e SHBA-së si bazë për një mbrojtje të tillë.
Por kohët e fundit, konservatorët e vijës së ashpër kanë kërkuar një mënyrë për t’i mohuar këto mbrojtje.

Në atë që do të ishte një rast i parë, një nga rrugët që po shqyrtohet në Teksas është përdorimi i ligjit shtetëror për të ndaluar ose rregulluar disa praktika kulturore islame, si tribunale për martesat dhe vendime të tjera që rregullohen nga rregullat fetare, të cilat shpesh i referohen ligjit të Sheriatit.
Disa duan ta bëjnë këtë sapo Legjislatura e Teksasit të mblidhet vitin e ardhshëm.
“Një nga gjërat e para që do të përpiqemi të bëjmë është të përcaktojmë se çfarë është një fe”, tha deputeti shtetëror Alan Schoolcraft, një republikan nga San Antonio.
“Islami në vetvete nuk është thjesht një fe. Është shumë më tepër se një fe”.
Popullsia myslimane e Teksasit mbetet e vogël, rreth 1 ose 2 për qind e të gjithë banorëve.
Shifrat e sakta janë të vështira për t’u përcaktuar, pasi regjistrimi i popullsisë nuk pyet për fenë, por sondazhet e Pew Research Center dhe vlerësimet e zyrtarëve shtetërorë e vendosin popullsinë myslimane mes 300 mijë dhe 500 mijë njerëzve.
Ndër shtetet me popullsinë më të madhe, vetëm Nju Jorku dhe Illinois kanë një përqindje më të lartë myslimanësh se Teksasi.
Zona Dallas-Fort Worth ka qenë një destinacion i preferuar.
Vitet e fundit, një nga komunitetet në rritje është ai në Irving, rreth Valley Ranch Islamic Center, xhamia e dytë e qytetit. E themeluar në vitin 2009, xhamia ka një kampus të madh dhe po planifikon një zgjerim prej 31 mijë metrash katrorë, me një kafene dhe një fushë basketbolli.
Në një falje të mbrëmjes së fundmi, familjet e kishin të vështirë të gjenin vend për parkim.
“Po rritemi më shpejt nga sa e prisnim”, tha Sheikh Yaser Birjas, i cili e ka udhëhequr komunitetin që nga viti 2010.
Birjas tha se suksesi i xhamisë ishte pjesërisht falë përqafimit të hershëm të teknologjisë.
Njerëz të rinj zbuluan shërbimet e saj në internet.
Disa u zhvendosën në Teksas për t’iu bashkuar komunitetit.
Një tregues i rritjes së komunitetit vjen nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë për migrimin ndërkombëtar nga vendet me shumicë myslimane drejt Shteteve të Bashkuara.
Kjo popullsi në zonën metropolitane Dallas-Fort Worth u rrit në më shumë se 159 mijë njerëz në vitin 2024, nga rreth 79 mijë një dekadë më parë – duke u rritur pesë herë më shpejt se popullsia në tërësi.
Një tjetër tregues gjendet te numri në rritje i komuniteteve myslimane.
Në katër qarqet më të mëdha të Dallas-Fort Worth, numri i xhamive pothuajse u trefishua, duke arritur në 76 deri në vitin 2020, nga 28 dy dekada më parë, sipas të dhënave të Association of Religion Data Archives.
Në Collin County, një zonë periferike në rritje të shpejtë në veri të Dallasit, numri u katërfishua, nga tre në 12.
Rritja ishte e dukshme, por numri i xhamive mbetet i vogël. Për krahasim, në këto katër qarqe ka më shumë se 3 mijë komunitete të krishtera ungjillore.
Si u bë Islami një pikë fokusi për republikanët
Pothuajse çdo fjalim në Konventën Republikane të Teksasit në qershor përfshinte ndonjë shprehje të ndjenjave kundër myslimanëve. Në disa panele të konferencës u paralajmërua për një pushtim mysliman. Lufta kundër ligjit të Sheriatit – kodit islamik që udhëheq besimtarët praktikues — u shpall një nga prioritetet kryesore legjislative.
Në sallën e konventës, grupi i ri i Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit, Sharia-Free Caucus, kishte një stendë. Amy Mekelburg, një influencuese e njohur kundër myslimanëve, prezantoi një video ku paralajmëronte se restorantet e Barbecue-it në Teksas po zëvendësoheshin nga “qendra tregtare arabe” – si pjesë e një “marrjeje të koordinuar të kontrollit”.
Fokusi te myslimanët fitoi terren të ri gjatë kandidimit të parë të Presidentit Trump për Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 2015, kryetarja e bashkisë së Irvingut, Beth Van Duyne, tërhoqi vëmendjen kombëtare duke sulmuar ligjin e Sheriatit. (Ajo tani është anëtare e Kongresit).
Dy vjet më vonë, republikanët e Teksasit miratuan legjislacion kundër Sheriatit, si pjesë e një vale projektligjesh të shtyra përpara nga Center for Security Policy, një institut kërkimor i krahut të djathtë të skajshëm me bazë në Uashington.
Për një periudhë, partia u largua nga çështja e Islamit për t’u përqendruar te emigracioni, pandemia dhe politika gjinore.
Por disa pjesëtarë të së djathtës ekstreme nisën të përqendroheshin te një mesazh tjetër dhe më përçarës: se Islami nuk është një fe, por një ideologji politike.
Më pas erdhi propozimi për zhvillimin e një projekti të pasurive të paluajtshme me një xhami jashtë Dallasit, i njohur në atë kohë si EPIC City. “Kështu bie Perëndimi”, shkroi zonja Mekelburg në rrjetet sociale në shkurt 2025.
Retorika e saj tërhoqi vëmendjen e zotit Abbott dhe ai shpejt nisi hetime shtetërore ndaj projektit të propozuar dhe komunitetit të xhamisë, East Plano Islamic Center, ose EPIC, që e mbështeste atë.
Anthony Holm, një konsulent politik republikan, tha se shqetësimet për Islamin ishin një zgjatim i frikës së votuesve republikanë ndaj emigracionit të paligjshëm – dhe ndihmojnë për të shpjeguar fokusin e zotit Abbott.
“Gjithçka që ai bën përcaktohet nga sondazhet”, tha zoti Holm për guvernatorin.
Zoti Abbott e ka përdorur cilësimin terrorist që i ka bërë CAIR-it për të tentuar të kufizojë edhe grupe të tjera islame. Këshilli po e kundërshton këtë cilësim në gjykatë.
“Ne përjetojmë valë islamofobie”, tha Shaimaa Zayan nga dega e CAIR-it në Austin.
“Kjo është vala më e keqe”.
Çfarë do të thotë “asimilim”?
Farhat Shaikh, një mjeke që jeton në Frisco, në veri të Dallasit, qëndroi jashtë një qendre votimi gjatë balotazhit të fortë për kryetar bashkie në qershor.
Për shumë njerëz në të djathtën e skajshme, Frisco – me popullsinë e madhe nga Azia Jugore dhe myslimane – ishte epiqendra e betejës për të ardhmen e Teksasit.
Dr. Shaikh u bëri thirrje votuesve të mbështesnin Mark Hill, një ish-anëtar të bordit të shkollës, i cili u zotua të bashkonte qytetin. Kundërshtari i zotit Hill, Rod Vilhauer, foli për nevojën që myslimanët të asimiloheshin në kulturën amerikane, ndërsa disa nga mbështetësit e tij paralajmëruan për një “marrje të kontrollit” nga myslimanët.
Zoti Hill fitoi zgjedhjet. Megjithatë, për Dr. Shaikh, fushata përçarëse i vuri myslimanët si ajo në një lloj situate të vështirë.
“Asimilimi do të thotë të bëhesh pjesë e institucioneve dhe të jesh ‘pjesë e vendimmarrjes’”, tha ajo. “Unë jam pjesë e P.T.A.-së, bëj vullnetarizëm për komunitetin tim, jam mjeke që ushtroj profesionin. Unë po asimilohem.” Por, tha ajo, të qenit aktiv mund të sulmohet gjithashtu si përpjekje për të “marrë kontrollin”.
Çështja e asimilimit ka nxitur ligjvënës të Teksasit si zoti Schoolcraft dhe ka ushqyer thirrjet për një përkufizim të fesë në ligjin e Teksasit. Zoti Schoolcraft shpresonte se një legjislacion i tillë do t’i inkurajonte myslimanët të asimiloheshin më plotësisht dhe të mos krijonin enklava, siç është projekti EPIC City.
“Nuk po them që ta braktisni plotësisht kulturën tuaj”, tha zoti Schoolcraft.
“Por përpiquni të bëheni qytetarë të vendit ku jetoni. Përndryshe, do të ketë konflikt.”
Republikanët e Teksasit kanë paralajmëruar se myslimanët po përpiqen të krijojnë një sistem paralel drejtësie.
Disa kanë përmendur një organizatë të vogël, të krijuar rreth një dekadë më parë dhe me bazë në Dallas, Islamic Tribunal, e cila ofron këshillim fetar për gratë që kërkojnë divorc, përfshirë gratë në martesa abuzive. Zoti Paxton nisi një hetim.
Një avokat i organizatës tha se udhëzimet e saj fetare — njësoj si ato të një gjykate rabinike hebraike apo të një tribunali katolik — mbroheshin nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.
“Ne nuk jemi gjykatë”, tha Taher El-Badawi, i cili themeloi Islamic Tribunal.
Paraqitja e Islamit si një ideologji politike do të ishte e paprecedentë si strategji legjislative, tha Asma T. Uddin, avokate e lirisë fetare, dhe do të ishte “një mënyrë për ta fituar betejën për lirinë fetare para se ajo të fillojë, duke e nxjerrë palën tjetër jashtë kësaj kategorie”.
Gjykatat amerikane kanë shmangur ndër vite përcaktimin se çfarë është feja. Në vitin 2010, banorë të Tenesit u përpoqën të ndalonin ndërtimin e një xhamie të re, duke argumentuar se ajo nuk duhej të trajtohej si vend adhurimi, sepse Islami nuk ishte fe.
Në një parashtresë, Departamenti i Drejtësisë u përgjigj se “Islami është qartësisht një fe” e mbrojtur nga Amendamenti i Parë. Nëse departamenti nën administratën Trump do të mbante të njëjtin qëndrim, mbetej një çështje e hapur.
Për momentin, institucionet lokale myslimane janë mbrojtur mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe ligjore dhe kanë premtuar se do të vazhdojnë punën e tyre.
“Komuniteti mysliman është një komunitet shumë i madh në Dallas dhe ata kanë nevojë për ndihmë”, tha zoti El-Badawi i Islamic Tribunal. “Ne ofrojmë ndihmë fetare. Kaq.”









