Pasi që u rikonfirmua Kryetar i Lidhjes Demokratike nga pak më shumë se gjysma e delegatëve të Kuvendit të LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ka “mllef dhe zell” për ta sulmuar atë, pa përmendur ndonjë emër të përveçëm.

Përmes një postimi në Facebook të shtunën, Abdixhiku ka pretenduar se “ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë” së LDK-së, duke iu referuar Kuvendit të LDK-së, i mbajtur më 31 janar, ku ai u votëbesua për shkak të rezultatit tejet të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Siç edhe e shihni, ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë. Një mllef dhe një zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova, veprimtarët e shumicës, punën e profesionistëve, të rinjve e të vjetërve pa dallim; secilin! Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj”, shkroi Abdixhiku.

Ai pretendon se vendimi, sic e quan, “i lirë dhe i drejtë” i anëtarësisë është “gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë”, ndonëse pasi që u rikonfirmua Kryetar tha se po të donte do ta bënte 90 për qind rezultatin e votëbesimit, duke ngritur vetë dyshime se ka mundur që të këtë manipulim të rezultatit.

“Do ta kuptojmë një ditë, nëse veç se kemi kuptuar, se Kuvendi i ynë nuk ishte thjesht një ngjarje demokratike. Ishte një shkëputje e qartë mes një kohe që kërkonte kontroll pa parim dhe një kohe që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi. Prej asaj dite, kjo shtëpi e madhe e jona ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin e vet dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë – dhe, ju pëlqeu a s’ju pëlqeu disave, s’ka më asgjë që e ndal këtë mbarësi”, shtoi ai.

Abdixhiku theksoi ndër të tjera edhe se “rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat”. “Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara”.

“LDK-në do ta bashkojmë. Fort madje. Por jo kështu. Jo me këtë logjikë. Jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund. Jo me ata që besojnë se vullneti i anëtarësisë mund të riformësohet e tjetërsohet në prapaskenat e darkave përplot intriga. E aq më pak me ata që kanë refuzuar, vazhdimisht, ta dëgjojnë këtë anëtarësi”.

Më 31 janar të këtij viti, Lumir Abdixhiku fitoi në procesin e votëbesimit të proklamuar si ofertë dorëheqje që u zhvillua në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në votëbesimin që u zhvillua në mënyrë të fshehtë, delegatët e LDK-së nuk e pranuan dorëheqjen e tij. Diferenca mes atyre që ishin pro dhe kundër dorëheqjes së Abdixhikut ishte e ngushtë.

164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 të tjerë votuan për largimin e tij.