Teksa Zohran Mamdani mbajti një fjalim të fuqishëm të martën mbrëma për të shënuar fitoren e tij në garën për t’u bërë kryebashkiak i New Yorkut, ai bëri një falënderim të veçantë.
“Dhe për bashkëshorten time të jashtëzakonshme, Rama, hayati”, tha ai, duke përdorur fjalën arabe për “jeta ime”.
“Nuk wshtw askush tjetwr me të cilin do të doja të isha në këtë moment dhe në çdo moment tjetër”, tha ai, shkruan New York Times.
Turma brohoriti me zë të lartë sapo zoti Mamdani përmendi bashkëshorten e tij, Rama Duwaji — një shenjë e rolit të saj të rëndësishëm në fushatën e bashkëshortit dhe interesit gjithnjë e më të madh të publikut për të.
Ndërsa Mamdani e përfundoi fjalimin, zonja Duwaji iu bashkua atij në skenë mes duartrokitjeve.
Në prag të Ditës së Zgjedhjeve, zonja Duwaji, animatore dhe ilustratore, vazhdoi të shmangë vëmendjen tradicionale politike. Ajo ka qëndruar larg fjalimeve politike, përveç një selfie-je mëngjesin e së martës në Instagram-in e saj, ku pozonte me ngjitësen “I voted”.
Ashtu si bashkëshorti, edhe Duwaji, 28 vjeç, ka pasur disa muaj shumë të ngarkuar — me përjashtim se aktivitetet e saj nuk kanë pasur asgjë formalisht të lidhur me fushatën elektorale.
Ilustrimet e saj janë shfaqur në një artikull të fundit të Vogue që vë në pah punëtorët e industrisë së veshjeve në qytet, si dhe në një artikull të New York Magazine për sendet që palestinezët morën me vete kur u larguan nga Gaza.
Gjatë verës dhe vjeshtës, ajo ka marrë pjesë në evente arti e mode dhe ka udhëhequr punëtori qeramike nëpër qytet.
“Rama nuk është thjesht gruaja ime; ajo është një artiste e jashtëzakonshme që meriton të njihet në termat e saj”, ka shkruar Mamdani në Instagram në maj.
E lindur në Huston, zonja Duwaji, me prejardhje siriane, u zhvendos në Dubai rreth moshës 9-vjeçare.
Ajo u diplomua nga Virginia Commonwealth University në vitin 2019 në artet e komunikimit. Në vitin 2021 u zhvendos në New York për të ndjekur karrierën artistike.

Po atë vit, ajo dhe Mamdani – atëherë një ligjvënës shtetëror pak i njohur — u njohën përmes aplikacionit të takimeve Hinge.
Në vitin 2024, ajo u diplomua me master në arte të bukura në SVA New York, në degën e ilustrimit si ese vizuale.
Disa muaj më vonë, Mamdani publikoi në Instagram një foto të Duwajit duke buzëqeshur, duke ndarë lajmin e fejesës së tyre.

Në shkurt, ata u martuan në Manhattan Marriage Bureau, dhe në korrik çifti mbajti një ceremoni dasme në Ugandë, vendlindjen e Mamdanit.
Si zonja e parë e ardhshme e qytetit të New Yorkut, Duwaji do të hyjë në një rol që historikisht ka qenë i paqartë dhe fleksibël.
Gjatë administratës së Michael R. Bloomberg, partnerja e tij afatgjatë, Diana Taylor, u bë de facto zonja e parë, me një karrierë të larmishme në biznes dhe një figurë të kërkuar në evente.

Kur Bill de Blasio mori detyrën në vitin 2017, bashkëshortja e tij, Chirlane McCray, mori një rol me ndikim të madh në administratë.
Ajo madje konsultohej nga ndihmësit përpara se të shkonin te kryebashkiaku.
Por përfshirja e saj solli edhe kritika, përfshirë një iniciativë të shëndetit mendor prej afro 1 miliard dollarësh që u hetua për keqmenaxhim.
Nën drejtimin e Eric Adams, qyteti praktikisht nuk ka pasur një zonjë të parë. E dashura afatgjatë e Adams, Tracey Collins, rrallë është parë në publik dhe u largua nga një punë shumë e paguar në Departamentin e Arsimit pas akuzave se pozita e saj ishte “punë pa shfaqje”.
Disa nga miqtë e afërt të Duwaji e kanë përshkruar ngritjen e shpejtë të Mamdanit si emocionuese për të, por edhe mbingarkuese, shumë larg asaj që ajo kishte imagjinuar kur u zhvendos në qytet.
Shumë nga punimet e saj karakteristike bardh e zi shprehin shqetësimin për krizat humanitare në Gaza, Sudan dhe Liban, dhe paraqesin skena intime të jetës në Lindjen e Mesme. Ajo shpesh ndan ilustrimet e saj në Instagram, ku ka krijuar një bazë të madhe ndjekësish.
Disa nga 224 mijë ndjekësit e saj janë të tërhequr nga arti i saj, të tjerë nga stili i saj – që përfshin veshje vintage tërheqëse, bizhuteri të arta, bluza me një sup, funde midi të lehta dhe çizmet e saj të zeza karakteristike.
“Ajo është princesha jonë Diana e kohëve moderne”, tha Hasnain Bhatti, 32 vjeç, fotograf dhe mik i saj.









