Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna, ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike padyshim që ka ndikim të drejtpërdrejtë në prodhim, në sektorin e shërbimeve dhe në fund, në xhepin e qytetarëve të Kosovës.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike drejtpërdrejt e godet prodhimin, e godet sektorin e shërbimeve dhe në fund, e godet xhepin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një indikator i tillë është vërejtur edhe vitin e kaluar. Kur patëm një rritje të çmimit të energjisë elektrike, automatikisht patëm edhe rritje të inflacionit”, tha ai për VOX Kosova.
“Nëse e shohim në baza vjetore, vitin e kaluar inflacioni u mbyll me 3.9 për qind, ndërsa në baza mujore muaji dhjetor ka qenë 5.2 për qind. Kështu që kjo do të ketë efekt, pasi çmimi i energjisë elektrike është kosto operative për çdo biznes. Si pasojë, do të ketë rritje të çmimeve të produkteve tona në tregun vendor, veçanërisht të prodhimeve kosovare”, shtoi.
Sipas tij, do të ketë edhe rritje të çmimeve të shërbimeve, ashtu siç kemi pasur edhe vitin e kaluar, teksa shton se çdo ngritje e çmimit të energjisë elektrike padyshim që do të sjellë varfërim të qytetarëve të Kosovës dhe ulje të standardit jetësor të tyre.
“Sa i përket pagës minimale, ajo prek më shumë se 130 mijë persona. Edhe në këtë rast ka shumë të meta, pasi për bizneset kjo paraqet sfidë dhe ngarkesë të dyfishtë. Paga minimale nuk është liruar nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe për më tepër, është rritur pa konsultim dhe pa një studim të detajuar se çfarë efekti do të ketë te bizneset, te punëmarrësit dhe, në fund, te qytetarët e Republikës së Kosovës”, potencoi Rafuna.








