Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka përcjellur pjesërisht dëshminë e ish-ndihmëssekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, në gjyqëin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, derisa ka theksuar se duhet të pritet ecja e këtij procesi pa dhënë vlerësime politike.
“E kam përcjellë pjesërisht, me aq sa kam mbërri për shkak të angazhimeve dhe aktiviteteve të shumta. Mbrojtja është përcaktuar për një orientim të veçantë”, deklaroi Kurti në një prononcim për “T7”.
Ai shtoi se “roli ynë është i kufizuar”. “Ne kemi dhënë mbështetje financiare në mënyrë të pandërprerë dhe shpresojmë për më të mirën”, pohoi.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë potencoi se qëndrimi i tij për Gjykatën Speciale “është i njëjti prej fillimit”,
Kur u pyet se si e komenton faktin që në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Adem Demaçi po përmendet si njeriu kryesor i UÇK-së, ai deklaroi se do ta përcjellë procesin pa dhënë vlerësime politike.
“Unë besoj që duhet të presim ecjen e këtij procesi pa dhënë ne vlerësime politike. Edhe njëherë po e theksoj që qëndrimi im për Gjykatën Speciale nuk ka ndryshuar asnjëherë”, tha ai, derisa nuk u përgjigj nëse beson që ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm.