Ekipi mbrojtës i ish-presidenit të Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar Trupin Gjykues në Hagë për ndryshime në listën e dëshmitarëve që planifikon t’i thërrasë në procesin gjyqësor kundër tij, në rastin ku ai akuzohet për krime lufte.
Në një dokument të dërguar para një jave në Gjykatë, avokati Luka Misetiç ka bërë të ditur se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e tre personave të identifikuar si 1DW-002, 1DW-010 dhe W04174. Sipas njoftimit të mbrojtjes, ky vendim është marrë “në përputhje me Rregullin 119 të Rregullave të Procedurës dhe të Provave” dhe me urdhrin e gjykatës për mënyrën e zhvillimit të procedurave.
DOKUMENT:

Hashim Thaçit i ka dalë problem edhe me autorizimin e dëshmitarit “1DW-007”, i cili parashihej të merrej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo shkaku i mbylljes së përkohshme të Qeverisë Amerikane atje.
“Mbrojtja gjithashtu e njofton Trupin Gjykues se miratimi i pritshëm për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar për shkak të mbylljes së qeverisë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Mbrojtja pret që miratimi të merret dhe që 1DW-007 të jetë dëshmitari i fundit që do të thirret nga Mbrojtja”, ka sqaruar mbrojtja.
Procesi gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdojë me seanca nga data 27 tetor.
Në to do të paraqiten ende dëshmitarë të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilët pritet të jenë figura ndërkombëtare me histori angazhimi në Kosovë gjatë luftës ose menjëherë pas saj.
Deri më tani, në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar: James Rubin, ish-zëdhënës i Madeleine Albright; Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje; John Duncan, ish-këshilltar i Komandantit të NATO-s, Wesley Clark; dhe Jock Covey, që ishte zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.
Dëshmitarët e mbrojtjes do të dëgjohen deri nga mesi i nëntorit, eventualisht deri në fundin e tij. Palët do të kenë afat deri në muajin dhjetor për të dorëzuar me shkrim fjalët përfundimtare, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm pritet vendimi përfundimtar i Panelit të Gjyqtarëve.









