Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka ftuar të hënën e 19 nëntorit nga ora 15:00, anëtarët e Kryesisë Qendrore të LDK-së në mbledhje ku do të diskutohen çështjet me interes për partinë.

Në një mesazh të brendshëm që Abdixhiku ua ka dërguar anëtarëve të Kryesisë, të cilin e ka siguruar VOX Kosova, thuhet se “pjesëmarrja juaj është e rëndësishme për të diskutuar çështjet me interes për partinë dhe për të koordinuar hapat e radhës në funksion të përgjegjësive tona politike dhe organizative”.

Këto zhvillime në LDK vijnë pas rezultatit të dobët që kjo parti mori në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke u renditur parti e tretë me 13.23 për qind.

Të hënën, Abdixhiku mbajti një mbledhje jo formale me kryesinë e ngushtë të partisë. Pas mbledhjes, ai tha se do ta dorëzojë dorëheqjen e tij si Kryetar i partisë në Kuvendin e LDK-së, i cili do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo dorëheqjen e tij.

“E kam obligim moral e kam obligim politik të sjelljes sime që të marr jo vetëm përgjegjësinë, por të marr edhe të shtroj tutje dhe organizimin politik të LDK-së nëpërmjet ofrimit te Kuvendi i LDK-së së dorëheqjes sime si Kryetar i LDK-së dhe më pas Kuvendi i LDK-së le të vendosë nëpërmjet votës se a e pranon apo nuk e pranon këtë dorëheqje”, tha Abdixhiku pas mbledhjes pesë orëshe.

Po në këtë mbledhje, siç e ka konfirmuar një burim brenda LDK-së që ka qenë pjesë e këtij takimi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nënkryetarja e partisë, Hykmete Bajrami. Madje, siç tregon burimi, ka kërkuar që njëjtë të veprojë Abdixhiku si dhe struktura drejtuese e LDK-së.

Mesazhi i plotë i Abdixhikut për anëtarët e Kryesisë:

Të nderuar anëtarë të Kryesisë Qendrore të LDK-së,

Ju ftoj në mbledhjen e radhës të Kryesisë Qendrore të LDK-së, e cila do të mbahet të hënën, më datë 19 janar, duke filluar nga ora 15:00.

Pjesëmarrja juaj është e rëndësishme për të diskutuar çështjet me interes për partinë dhe për të koordinuar hapat e radhës në funksion të përgjegjësive tona politike dhe organizative. Ju falënderoj paraprakisht për angazhimin dhe përkushtimin tuaj.

Lumiri