Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ritheksuar gatishmërinë e tij për t’u takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në mënyrë që të zgjidhet kriza buxhetore me të cilën po përballet kryeqyteti.

“Dje ishim edhe me protestuesit përpara Ministrisë së Financave, përpara Qeverisë, ku unë kërkova takim urgjent me ministrin e kryeministrin, por ata refuzuan të takohen. Jam edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë dhe ta zhbllokojmë këtë proces”, tha Rama në një konferencë për media.

Rama ka potencuar se zgjedhjet lokale kanë përfunduar, duke shtuar se “fondet që na takojnë me ligj, t’i transferojnë menjëherë që familjet e këtyre punëtorëve t’i marrin pagat menjëherë dhe kanë pritur me muaj të tërë; edhe sot, për çfarëdo inati, vazhdon të jetë”.

“Ta lëmë pas politikën bllokuese. Fondet që na takojnë me ligj duhet të transferohen menjëherë, që të mund të dalin pagat. Jam i gatshëm për çdo mënyrë alternative që e zgjidh këtë problem dhe e zhbllokon procesin. Zgjidhja është shumë e thjeshtë dhe mund të bëhet menjëherë nga ministri. Fondet janë tonat dhe nuk ka asnjë bazë ligjore për t’i mbajtur peng”, shtoi.

Ai bëri të ditur se janë marrë edhe masa shtesë, duke përfshirë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për të enjten. Sipas tij, në këtë seancë pritet që asamblistët të votojnë edhe bartjen e mjeteve që është bllokuar deri më tani.