Të dielën, në ora 23:59, u përmbyll afati për deklarim të koalicioneve dhe aplikim për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, i cili kishte qenë i hapur që nga 24 nëntori.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhje 23 subjekte politike, prej të cilave 3 koalicione, 17 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me koalicion. Emri i koalicionit është “Lëvizja Vetëvendosje”, dhe përbëhet nga katër parti: VV, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Nga ana tjetër, partitë e ish-opozitës – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – do të garojnë të vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

E vetme do të garojë edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt. Kjo parti ka pasur diksutime me LDK-në për një koalicion eventual parazgjedhor, madje kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kishte lënë të hapur mundësinë që Nisma të bëhet pjesë e listës së partisë që ai drejton.

Nisma ka pasur diskutime për koalicion edhe me PDK-në, mirëpo në fund nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me asnjërën nga këto parti dhe ka aplikuar për të garuar e vetme.

Ndryshe, deri më 7 dhjetor 2025, këto subjekte politike që kanë aplikuar për certifikim, duhet të dorëzojnë listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Këto janë partitë politike që kanë aplikuar në KQZ për pjesëmarrje në zgjedhje:

Koalicionet:

1. Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”;

2. Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe

3. Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Partitë politike:

4. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK;

5. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK:

6. Kosovaki Nevi Romani Partia;

7. JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;

8. Za Slobodu Pravdu i Opstanak;

9. KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI;

10. PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;

11. PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;

12. SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;

13. SRPSKA LISTA;

14. INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS;

15. FJALA;

16. NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS;

17. LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS (LPRK);

18. ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS (AAK);

19. KOSOVSKI SAVEZ; dhe

20. NISMA SOCIALDEMOKRATE – NISMA.

Iniciativat qytetare:

21. PËR SOCIALDEMOKRATËT E ASHKALINJËVE; dhe

22. INICIATIVA QYTETARE PËR KOSOVË.

Kandidatët e pavarur:

23. NEDŹMIDIN SEJDILAR.