Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka votuar në qendrën e tij të votimit në Prishtinë, nga ku ka thënë se sot është dita “për guxim dhe shpresë”.
“Sot është dita e vendimmarrjes së çdo qytetari për ta bërë këtë shtet më të pjekur, më të fortë, konsistent, më funksional. Vendimmarrja sot është në dorën e çdo qytetari për t’i dhënë një mundësi e shpresë zhvillimit të shtetit të Kosovës”, tha Limaj.
Sot, Limaj theksoi se qytetarët vendosin për katër vjet “në dorën e kujt do ta leni Parlamentin e Kosovës dhe funksionimin e shtetit të Kosovës dhe prandaj është një vendimmarrje shumë e rëndësishme”. “Besoj që qytetarët e Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë vendimmarrje”.
“Në fund të fundit kjo ka qenë përpjekja e jona e vazhdueshme për të ia dhënë mundësinë gjithmonë, për të ardhur deri tek liria, shteti që pastaj qytetari t’i jap drejtim vetë vendit të vet. Dhe kjo dita e asaj vendimmarrje të rëndësishme për guxim e shpresë”, shtoi ai.








