Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në qendrën e votimin të tij në Fakultetin Juridik, ku i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona, për çerdhet, për shkollën, për ujin, për shëndetin, për shërbimet dhe për infrastrukturat në lagjet e qyteteve dhe fshatrave ku jetojnë”, tha Kurti para gazetarëve pas votimit.
Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës, ai tha se jemi edhe banorë të komunës. “Prandaj ftoj të gjithë qytetarët pa dallim që ta përdorin mundësinë, ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisetarë në zgjidhjen e problemeve që kanë për t’i plotësuar nevojat e tyre”, shtoi.
Ndryshe, sot në Kosovë janë duke u zhvilluar zgjedhjet lokale në të gjitha komunat (38).
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se procesi i votimit ka nisur të gjitha qendrat e votimit.
“Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës, me përjashtim të ndonjë vonese në ndonjë votim të caktuar”, tha Elezi në një konferencë për media në ora 08:00.
Ai bëri të ditur se procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2625 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra të rregullta, pra për votimin e rregullt, me 2571 vendvotime.
Ndërkaq, 38 qendra të tjera, nga një për çdo komunë me 54 vendvotime, janë hapur për të mundësuar votimin me kusht.
Sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 2 milionë e 25 mijë e 105 qytetarë, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna të vendit.