E përditshmja britanike “The Guardian” ka publikuar një artikull në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, ku thuhet se qytetarët po i drejtohen kutive të votimit me shpresën për t’i dhënë fund krizës politike që mbizotëroi në vend për pjesën më të madhe të këtij viti, e cila përfundoi për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 pa formimin e një Qeverie.
“Ngërçi ishte hera e parë që Kosova nuk arriti të formojë një qeveri që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998–99 që përfundoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”, thuhet në artikull.
Në këtë shkrim të publikuar në prestigjiozen britanike theksohet po ashtu se një krizë e re institucionale dhe një rezultat potencialisht i papërcaktuar i këtyre zgjedhjeve ngre frikën e efekteve edhe më negative në ekonominë e dobët të Kosovës, meqë ende nuk është miratuar buxheti për vitin e ardhshëm.
“Një votim tjetër i papërcaktuar do ta thellonte edhe më tej krizën. Kosova ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, duke nxitur frikën për efekte të mundshme negative në ekonominë tashmë të dobët të vendit me rreth 2 milionë banorë”, thuhet tuje në artikull.
Sipas “The Guardian”, Albin Kurti dhe partia që e udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje janë pretendentët kryesorë për t’i fituar zgjedhjet, ndonëse mbetet e paqartë nëse do të arrijnë të sigurojnë shumicën e nevojshme në parlament për ta formuar Qeverinë.
Veç tjerash, artikulli përmend edhe votimin e presidentit të ri të vendit, që pritet të ndodhë në mars të vitit të ardhshëm, si dhe faktin se dështimi i këtij votimi do ta çonte vendin sërish në zgjedhje.
“Partia e kryeministrit është përsëri pretendentja kryesore në garë, por është e paqartë nëse do të arrijë të krijojë një shumicë këtë herë në parlamentit me 120 deputetë, pasi partitë e tjera kryesore refuzuan bashkëpunim”, potencohet në artikull.









