Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të nis nga sot (e diel) procesin e dërgimit të fletëvotimeve për qytetarët që jetojnë jashtë vendit e që janë regjistruar për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Lajmin e ka bërë të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, i cili ka njoftuar se dërgimi i fletëvotimeve në adresat e deklaruara tek votuesit e regjistruar do të realizohet nga operatori ekonomik i kontraktuar.
“Gjatë ditës së nesërme (e diel, 14 dhjetor 2025, ora 10:45) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes operatorit ekonomik, do të nisë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi për mediat.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 58 mijë votues janë regjistruar për të votuar në këtë formë.









