Procesi i rinumërimit të votave është duke vazhduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi që procesi i rinumërimit të pjesshëm të votave shpërfaqi manipulime të votave të kandidatëve për deputetë brenda partive.
KQZ-ja ka njoftuar se deri më tani janë rinumëruar 688 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë gjithsej.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 20 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 688 nga 2,557 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skenderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152)”, njoftoi KQZ-ja.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 6 komuna.
Pasi që u konstatuan manipulimet, disa kandidatë për deputetë, kryetarët e partive dhe pjesëtarët e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.
Në lidhje me manipulimet e votave, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.
Më 13 janar, KQZ kishte vendosur për rinumërimin e 914 vendvotimeve. Në 10 komuna ishte vendosur për rinumërimin e 100 për qind të vendvotimeve – Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Në 28 komunat të tjera, ishte vendosur për rinumërimin e 10 për qind të vendvotimeve – Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.